KryesoreLajme

“E pabesueshme, qesharake, absurde…”, reagimet ndaj deklaratës së Borrellit, se mezi pret të punojë me qeverinë e re të Serbisë

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, ka uruar sot Millosh Vuçeviqin për zgjedhjen në postin e kryeministrit të Serbisë.

“Paraprakisht, mezi pres të punoj me ju, Ministrin e Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq dhe anëtarët e tjerë të qeverisë, në mënyrë që Serbia të ecë përpara në rrugën e saj evropiane”, ka shkruar në rrjetet sociale diplomati evropian.

Kjo ka bërë që të reagojnë deputeti gjerman, Michael Roth si dhe ish-Ministri i Jashtëm malazez, Miodrag Vlahoviq, duke marrë parasysh se në qeverinë serbe gjenden dy ministra të sanksionuar nga SHBA-ja për korrupsion.

“Serbia dëshiron të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian. E vërtetë. Por qeveria e re e Serbisë? Seriozisht?”, ka ironizuar Roth.

E pabesueshme, absurde dhe qesharake e ka cilësuar ish-zyrtari shtetëror malazez urimin e Borrellit.

Lexo më shumë  Kurti takon arkitektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Andrija Mutnjakoviq

“Ky është, në fakt, një shembull i përsosur i politikës krejtësisht të kotë dhe thellësisht të paaftë të burokratëve të BE-së ndaj Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor. ‘Për ta çuar Serbinë përpara në rrugën e saj drejt BE-së’?! Është një kabinet LUFTE, pro-rus! E turpshme”, ka shkruar ish-kryediplomati malazez në platformën X.

Kujtojmë se Departamenti amerikan i Shtetit i ka vendosur sanksione kohë më parë Aleksandar Vulinit (zëvendëskryeministër) dhe Nenad Popoviqit (ministër pa portofol).

Lexo më shumë  Pesë vjet nga tërmeti në Shqipëri ku humbën jetën 51 persona

Nenad Popoviq është i sanksionuar nga SHBA-ja që nga nëntori i vitit 2023, ndërsa sanksionet ndaj Vulinit u vendosën në korrik të të njëjtit vit. Të dy janë në “listën e zezë”, ndër të tjera, për shkak të lidhjeve të tyre me Kremlinin.

Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se SHBA-ja është “e zhgënjyer” nga propozimi i Vulinit dhe Popoviqit dhe shtoi se të dy mbeten nën sanksione, sepse qëndrimi i SHBA-së ndaj tyre është “i njohur mirë”.

YouTube player