Këlliçi, tjetër denoncim për incineratorin e Tiranës: Ja si u themelua biznesi mafioz i plehrave
Anëtari i kryesisë së PD, Belind Këlliçi, vazhdoi denoncimin e mefa-aferës së inceneratorit të Tiranës.
Këlliçi teksa publikoi dhe dokumentet, tha se me to faktohet se si Erion Veliaj e nisi këtë “biznes mafioz” që me ardhjen në krye të detyrës. Kujtojmë se ky skandal ka kushtuar të paktën 150 milionë euro.
DEKLARATA E PLOTË
Keni dëgjuar shpesh Edi Ramën të thotë që sistemi korrupton njerëzit. Këto 8 muaj ju kemi treguar se si ‘Rilindja’ është në fakt sistemi i ngritur qëllimisht për të vjedhur dhe shpopulluar Shqipërinë.
Në të gjithë botën, janë dy skema të përdorura më së shumti nga grupet kriminale për pastrimin e parave. Konkretisht biznesi me plehrat dhe biznesi i ndërtimit. Erion Veliaj ka shkëlqyer në të 2 këto fusha.
Në vitin 2015, vetëm pak muaj pasi Veliaj kishte marrë detyrën si kryetar bashkie, ai firmos një marrëveshje që i dha të drejtën 2 kompanive për të ngritur biznesin e riciklimit të mbetjeve në landfillin e Sharrës. Një nga këto kompani quhej I.B. Recycling. Kjo kompani administrohej nga një familjar i afërt i Redi Mollës.
Pra e thënë thjeshtë, njëlloj si në skemën 5D, ku u përfituan fonde publike dhe leje ndërtimi për të pastruar paratë e korrupsionit, Redi Molla kishte përdorur më parë të njëjtën skemë edhe në biznesin e plehrave, që në vitin 2015.
Fatkeqësisht në muajin gusht të vitit 2016, në landfillin e Sharrës humbet jetën 17 vjeçari Ardit Gjoklaj. Hetimi për këtë vrasje rezultoi nul nga ana e organeve të drejtësisë shqiptare dhe ende sot që flasim 8 vite më pas, asnjë person nuk ka mbajtur përgjegjësi për këtë tragjedi dhe i vetmi fakt që mbahet mend nga ky proces hetimor, është fotoja ku Erion Veliaj drekonte me kryeprokurorin e atëhershëm të Tiranës.
Pikërisht në këtë moment, grupi i strukturuar kriminal detyrohet të ndryshojë skemën. Në lojë futet Vladimir Fezga.
Për të kuptuar se përse u zgjodh të futej në skemë shtetasi Vladimir Fezga, po bëjmë publike një dokument të vitit 2016. Kompania AMIA Verona vendos të paguajë 33.000 euro për shtetasin Vladimir Fezga, pasi ai nga nëntori i vitit 2013 deri më prill të vitit 2016, ka promovuar këtë kompani në Shqipëri, duke bërë të mundur që AMIA Verona dhe Bashkia Tiranë, në vitin 2016 të themelonin kompaninë ECO Tirana.
Pra është e qartë që Erion Veliaj, biznesin e mbetjeve e nisi sapo u bë ministër i ‘Rilindjes’ në vitin 2013 dhe e finalizoi në vitin 2016 si kryetar i Bashkisë Tiranë.
Pas këtij momenti, në shtetin fqinja Itali plas skandali. AMIA Verona rezultonte se pastronte paratë për grupin kriminal Ndranghetta dhe pjesë e grupit ishte dhe miku personal i Erion Veliajt, kryetari i Bashkisë së Veronës, Flavio Tosi.
As ky skandal nuk e frenoi këtë organizatë të strukturuar kriminale. Në vitin 2017 Erion Veliaj dhe Vladimir Fezga themelojnë kompaninë ECO Recycling.
Oreksi vjen duke ngrënë. Po në vitin 2017, Veliaj vendosi të japë me konçension depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës. Pa asnjë miratim nga Këshilli Bashkiak Tiranë, por vetëm me firmën e tij dhe vulën e Bashkisë, Erion Veliaj vendosi të marrë ekskluzivitetin e plehrave të Tiranës për 30 vite me radhë, përmes dy prestanomeve të tij, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Pikërisht në këtë moment, pronari faktik i Inceneratorit Tiranë Erion Veliaj, vendosi të nxjerrë Vladimir Fezgën nga biznesi dhe aksionet e tij në kompaninë ECO Recycling, pra në biznesin e riciklimit, i’a kalon Inceneratorit të Tiranës. Aksione për të cilat nuk paguhet asnjë lekë. Këtu skema e vjedhjes konsiderohet tashmë e plotë. Qëndërzim vetëm në një kompani, Integrated Energy BV SPV, pra inceneratori i Tiranës.
Për ta shpjeguar fare thjeshtë. Me ardhjen e ‘Rilindjes’ në pushtet, Erion Veliaj kishte një vizion të qartë se si të ngrinte këtë sistem kriminal dhe pa humbur asnjë ditë kohë, themeloi biznesin e plehrave, fillimisht nëpërmjet drejtorëve 5D, e më pas duke bashkëpunuar më Ndranghettën në Itali, për të përfunduar tek afera korruptive e shekullit, inceneratori i Tiranës, i cili ende sot pas 7 vitesh nuk ekziston.
I gjithë ky transaksion vlerësohet të ketë kaluar shifrën e 150 milionë eurove.
Ditët në vijim, do të bëjmë publike dhe një komponent shumë të rëndësishëm në këtë skemë, aferën e ECO Tiranës.
Materialet e përpunuara nga Grupi i Ekspertëve pranë PD, do ti përcillen zyrtarisht SPAK-ut, i cili tashmë është përpara provës së zjarrit.
Ose do të shembë këtë sistem korruptiv të ngritur në Bashkinë Tiranë nga Erion Veliaj, duke mos lejuar më që Tirana të jetë lavatriçja e pastrimit të parave e organizatave kriminale më të mëdha në Europë, ose do të VULOSË përfundimisht kapitullimin e plotë të drejtësisë së re, aq të shumëpritur nga qytetarët shqiptarë.
Rruga Press