Rastet e dhunës dhe intimidimit nga politika – Gazetarët protestojnë para Kuvendit të Shqipërisë
Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Medias një grup gazetarësh, kryesisht të politikës kanë zhvilluar një protestë të heshtur përpara godinës së parlamentit.
Me pankarta në duar, gazetarët e mediave të ndryshme në vend, ngritën edhe njëherë zërin kundër dhunës dhe intimidimit gjatë ushtrimit të profesionit të tyre, kryesisht nga politika.
Vetëm këtë vit janë raportuar rreth 30 raste të sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave.
Në lidhje me këtë protestë në hyrje të Kuvendit reagoi dhe kreu i grupit të PD, Bardhi i cili u shpreh se sulmet ndaj mediave turpërojnë të gjithë politikën, jo vetëm ata që i kryen.
“I dënojmë sulmet ndaj medias. Liria e shtypit është një nga shtyllat e demokracisë. Gazetarët e terrenit kanë vështirësitë tuaja ashtu si media ka qenë pre e autoritarizmit të Ramës.
Janë raste që turpërojnë jo vetëm ata që e kanë kryer por të gjithë politikën. Në emër të grupit të PD keni mbështetjen e plotë tonën për të bërë punën tuaj”, tha Bardhi.
Ndërsa deputeti i PS, Toni Gogu e kaloi me një batutë këtë grumbullim të gazetarëve. “Vetëm ju mos t’ju cenojnë pa dashje”, tha ai.
Rruga Press