Lajme

Shumica e shteteve të BE-së në favor të heqjes së masave ndaj Kosovës

Shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian janë në favor të heqjes së masave ndaj Kosovës, merret vesh nga burimet diplomatike në Bruksel.

I vetmi dallim në qëndrime, siç pohojnë burimet e RTK-së, ka të bëjë me mënyrën si të shkohet drejt heqjes së sanksioneve, të cilat Brukseli ia vendosi Kosovës në qershor të vitit të kaluar pas eskalimit të dhunës në veri, si rezultat i marrjes së detyrës së kryetarëve shqiptar në katër komunat.

Të martën më 22 prill, është mbajtur takimi i ambasadorëve të shteteve anëtare të BE-së, ku për herë të parë është diskutuar mundësia e heqjes së masave në dritë të mbajtjes së zgjedhjeve më 21 prill në veri të Kosovës.

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

Në këtë takim të ambasadorëve ka marrë pjesë edhe Miroslav Lajçak, emisari evropian për dialog si dhe Tomas Szoyong, shefi i zyrës së BE-së në Prishtinë.

Siç merret vesh nga burimet mirë të informuara nga ky takim, shtetet anëtare të BE-së janë të ndara në dy grupe: ato që konsiderojnë së masat duhet të hiqen menjëherë, dhe grupi tjetër i shteteve të cilat janë të mendimit se masat duhet të hiqen gradualisht, nëse Kosova vazhdon të tregojë përpjekje për të de-përshkallëzuar situatën. Në grupin e dytë, sipas burimeve të RTK-së, bëjnë pjesë shtetet më të fuqishme të BE-së, siç janë Gjermania Franca e Italia të cilat gjithashtu janë anëtare të QUINT-it.

Lexo më shumë  Konjufca priti në takim Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

Në fund të shkëmbimit të mendimeve, ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së i kanë bërë thirrje shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell që të përpilojë një raport mbi progresin e Kosovës në zbatimin e kërkesave ekzistuese të BE-së.

Pas dorëzimit të këtij raporti, BE sërish pritet t’i kthehet çështjes së heqjes eventuale të masave restriktive ndaj Kosovës.

Rruga Press

YouTube player