Art & KulturëKryesore

“Rrugës” në Cannes – shansi i radhës i Kosovës për “Palmën e Artë”

Nëse Samir Karahoda nuk duket fort në publik, është e para shenjë se po punon. Kështu ka ngjarë edhe me filmin e radhës. Tek kur kishte nisur ta finalizonte, kishte deklaruar se “kanë bërë një film të mirë”. E film i mirë për standardet e tij është një për alamet festivalesh. I beftë ka qenë lajmi i pasdites së të martës se “Rrugës” është në garë për “Palmën e Artë” të Festivalit të Cannes, aty ku për herë të parë me “Pa Vend” i bëri vend Kosovës në elitën e kinematografisë. “Është ëndërr e shumë autorëve të filmit…”, ka thënë Karahoda dhe pjesa tjetër është histori. Histori suksesesh dhe një shansi për çmimin e madh

Samir Karahoda kur i futet një projekti suksesin e ka të garantuar. Filmbërësi më i suksesshëm i Kosovës, jo pak i heshtur e modest, është duke shkruar kapitullin e radhës të kinematografisë së Kosovës në botë: atë të më lavdishmin. Filmi i tij “Rrugës” është i dyti me radhë që është në konkurrencë zyrtare për “Palmën e Artë” të Festivalit të festivaleve, atij të Cannes. 

Karahoda, i cili i vë në objektivin e tij fenomenet shoqërore, me karakter krejt lokal, bën që të mahniten kinematografët e botës. Midis 4 mijë e 420 filmash selektorët kanë përzgjedhur 11 sosh për të qenë në garën për film të shkurtër. “Rrugës” është midis tyre. Ky projekt i kthen Karahodën dhe Kosovën në konkurrencën zyrtare të Cannes, pas “Pa vend”, i cili qe atje më 2021. Pavarësisht urimeve të shpejta të krerëve institucionalë – fill pas lajmit për suksesin e radhës të martën pasdite – përkrahja e shtetit qe ndër më të ulëtat. 

E funksionimi i shtetit është në fokus të filmit të ri të Samir Karahodës. Sjell tregimin e një babai dhe djalit të tij në rrugën e tyre për në aeroport për të marrë një dhuratë të ardhur nga jashtë, e dërguar nga kumbari i djalit. Ndërsa përballen me pengesa burokratike dhe një perspektivë të pakëndshme për ndryshime reale politike dhe sociale në vendin e tyre, ata gjejnë ngushëllim dhe forcë në optimizmin e tyre të përbashkët për të ardhmen. Rrëfimi zë fill nga vakia e vetë regjisorit. Më të birin e kanë provuar zallamahinë procedurale të pranimit të një dhurate. 

Në filmin prej 15 minutash ngjarja tregohet nga aktorët Ylber Mehmeti dhe Miron Karahoda. Në skenar pos Samir Karahodës ka autorësi edhe i biri, Miron Karahoda.

Karahoda: Ëndërr e secilit, krenar me ekipin

Nëpërmjet komunikimit me postë elektronike, Samir Karahoda të martën nga Spanja ka thënë se një përzgjedhja në një festival të tillë nuk kërkon tepër koment. 

“Është ëndërr e shumë autorëve të filmit që të jetë pjesë e një programi të tillë pasi që dihet se përzgjedhja është shumë rigoroze duke kaluar në disa etapa”, ka thënë ai. Ka treguar se ndihet shumë krenar. “Ndihem krenar me ekipin tonë e aktorët dhe të gjithë të tjerët, ku secili e ka dhënë më të mirën nga vetja pavarësisht kushteve të kufizuara që i kemi pasur. Edhe njëherë me këtë e kemi dëshmuar, se zemra e madhe e anëtarëve të ekipit dhe vullneti i punëtorëve të filmit është me i vlefshëm se gjithçka tjetër”, ka thënë ai. 

Lexo më shumë  Drejtoresha që e lidh bandën e Suel Çelës drejtpërdrejt me Ramën

Sa i përket filmit më herët kishte treguar se ngjarja bazohet në një ditë të zakonshme kur me djalin e tij ishin në rrugë për në aeroport, për të marrë një dhuratë nga kumbari i të birit. 

“Gjatë këtij udhëtimi 15-20-minutash e kuptojmë se çka po ndodh në Kosovë, sfidat e shoqërisë sonë. Njëra ndër temat e tjera është edhe tema e migrimit kur fillojmë me e kuptu dëshirën e fëmijëve të vegjël që dëshirojnë me u largu nga Kosova pasi që shokët e tij të ngushtë dhe trajneri i tij i futbollit veçse kanë migruar, pavarësisht se babai insiston se si vendlindja nuk ka vend tjetër”, do të rrëfente Samir Karahoda në fillim të marsit të sivjetshëm në emisionin “Nëpër film” të Kohavisionit me autore Edona Binakun.

Synimi i tij ishte që të jetësohet si një portret i Kosovës aktuale. I karakterizuar nga kuadro minimale, ky film i metrazhit të shkurtër zhvillohet në një makinë. Debati i babait dhe djalit të tij të vogël është qendra e narratives. Në rrugë nga Prishtina për në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, nëpërmjet diskutimit të dyshes pasqyrohen problematikat e Kosovës së vitit 2024, të cilat pa dyshim se përkojnë edhe me problemet globale përtej kontekstit lokal. 

Karahoda është mjeshtër që rrëfimeve lokale t’u japë dimension universal. E ka dëshmuar këtë në projektet paraprake që kanë pasur sukses të madh si dokumentar artistik. Tash vjen me fiksion. 
Filmi është produksion i “SK Pictures” me producentë Eroll Bilibanin dhe Samir Karahodën. Përderisa drejtor fotografie është vetë Karahoda, montazhi është bërë nga Enis Saraçi. Pas dhënies së lajmit se filmi do të ketë premierë botërore në Festivalin e Cannes që sivjet mbahet nga 14 deri më 25 maj, bashkëproducenti Eroll Bilibani i ka thënë KOHËS se përzgjedhja e filmit është tepër e rëndësishme për shumë arsye, veçanërisht për një vend të vogël si Kosova.

Bilibani: Samiri me këtë e ka shkruar historinë

“Samiri me këtë e ka shkruar historinë, sepse me filmin e dytë të radhës që e punoi prapë u përzgjodh për festivalin më prestigjioz në botë. Për ne si Kosovë dhe si ekip është një njohje ndërkombëtare, sepse paraqitja në Cannes e shfaq talentin kinematografik të Kosovës në skenën globale. Ndihmon në sfidimin e paragjykimeve dhe kjo mund të ndikojë pozitivisht në ndryshimin e perceptimeve për Kosovën. Është po ashtu njëfarë krenarie dhe një frymëzim kulturor, sepse arritjet e tilla sjellin krenari kombëtare dhe mund të frymëzojnë të tjerët në Kosovë”, ka thënë Bilibani. Ka përmendur se ky lajm është duke ardhur vetëm disa ditë pas “Mirënjohjes speciale” që Pavijoni i Kosovës e mori në Bienalen e Venecias dhe tregon për potencialin artistik të Kosovës. 

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

“Në anën tjetër është edhe zhvillimi i mëtejmë i industrisë së filmit, sepse ekspozimi ndërkombëtar mund të tërheqë edhe më shumë investime në industrinë e filmit në Kosovë dhe në e dimë që QKK-ja bashkë me MKRS-në janë duke punuar për kthimin e investimeve dhe kjo mund të çojë në përmirësim të infrastrukturës dhe mund të ketë ndikim në rritjen e produksionit të filmave në Kosovë me një cilësi më të lartë”, ka thënë Bilibani. Në perspektiven e tij, një nga elementet e rëndësishme është edhe vazhdimi i këtij rrjetëzimi që e kanë gjithandej, sepse pjesëmarrja në festivale të tilla mund të krijojë marrëdhënie edhe me producentë e regjisorë të tjerë ndërkombëtarë për projekte të përbashkëta. 

“Sukseset e tilla në festivalin më të rëndësishëm në botë, atë të Cannes, mund të inkurajojnë qeveritë për mbështetjeje më të madhe të talenteve. Kjo përzgjedhje nuk është vetëm një fitore për neve si ekip, por edhe nxitje shumë e madhe për industrinë e filmit në rritje në Kosovë dhe për gjurmët që po i lë kinematografia e Kosovës në skenën botërore”, ka thënë Bilibani më pak se një muaj para se të niste edicioni i 77-të i Festivalit që sivjet do të hapet me filmin “Le Deuxième Acte” (Akti i dytë) të regjisorit francez Quentin Dupieux. Në kategorinë e filmave të gjatë artistikë në konkurrencë janë 19 projekte. 

Filmi i Karahodës është në konkurrencë me “Volcelest” të francezit Éric Briche, “Ootid” të lituanit Razumaitė Eglė, “Sanki Yoxsan” të regjisorit azerbajxhanas, Azer Guliev, “Les Belles Cicatrites” të francezit Raphawl Jouzeau, “Across the Waters” të kinezit Viv Li, “Perfectly a Strangeness” të kanadezit Alison McAlpine, “Tea” të amerikanit Blake Rice, “Yellow” të brazilianit André Hayato Saito, “The Man Who Could Not Remain Silent” të kroatit, Nebojša Slijepčević dhe “Bad For a Moment” të portugezit Daniel Soares. 

Juria e kategorisë së filmave të shkurtër sivjet është në përbërje të kryetares Lubna Azabal, aktore belge dhe anëtarëve, regjisores franceze Marie-Castille Mention-Schaar, programeri italian Paolo Moretti, regjisores franceze Claudine Nougaret dhe regjisorit serb Vladimir Perishiq. /koha.net/

YouTube player