KryesoreLajme

Kurti: Serbia shtet mafioz, ku kryemafiozi është presidenti Vuçiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes së Qeverisë, ka folur sërish për situatën e krijuar pas ngjarjeve të fundit në Serbi, ku u ndaluan mijëra qytetarë nga autoritetet serbe.

Kurti ka thënë se mungesa e sanksioneve e ka trimëruar agresivitetin e Serbisë.

Kryeministri ka thënë se po të kishte sanksione ndaj Beogradit atëherë kur u rrëmbyen tre policët e Kosovës më 14 qershor të vitit të kaluar, ose kur u vra rreshteri Afrim Bunjaku nuk do të ndodheshim në këtë gjendje.

“Arrestimet që i bën Serbia, qoftë qytetarët e zakonshëm që e përdorin si vend transit për në vendet e BE-së, qofshin zyrtarë shtetërorë, këto nuk do të vinin në shprehje nëse do të kishte sanksione. Mungesa e sanksioneve e ka trimëruar Serbinë dhe uroj që ky trimërim i agresivitetit që vjen si pasojë e një nervoze të padurueshme të brendshme të saj që rezulton nga sukseset e shtetit tonë, të paraqet një etapë të re në të cilin do të kuptohet që Kosova është shtet demokratik, respekton të drejtat e qytetarëve, ndërsa Serbia është praktikisht shtet mafioz”, ka deklaruar Kurti.

Lexo më shumë  Drejtoresha që e lidh bandën e Suel Çelës drejtpërdrejt me Ramën

Kryeministri ka shtuar se Vuçiq është kryemafiozi i shtetit mafioz.

“Besoj që zyrtarët e Brukselit do ta kenë parë konferencën e presidentit Vuçiq në kazermën ushtarake në Beograd, të shtunën që shkojë, pikërisht kur u bën 10 muaj nga rrëmbimi i policëve tanë si dhe në ditëlindjen e repartit “Kobra”, repart që i kishte rrëmbyer policët tanë. Shtet mafioz, ku kryemafiozi është njeriu më publik atje, është presidenti”, ka thënë kryeministri Kurti.

Kurti u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të gjithë shqiptarët që po mbahen në burgjet e Serbisë të lirohen menjëherë. Shefi i ekzekutivit ka thënë se nuk dihet sa është numri i të ndaluarve.

“U bëj thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të gjithë shqiptarët po mbahen në burgjet e Serbisë të lirohen menjëherë, në veçanti zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës. Po them të gjithë shqiptarët, pasi nuk dihet sa prej tyre po mbahen në burg dhe me çfarë akuza”, ka shtuar ai.

Lexo më shumë  Murati për subvencionimin e tarifave të energjisë: Plotësoni numërin e saktë të pjestarëve të familjes

Kurti ka apeluar te qytetarët që kalojnë kah Serbia “që të përcjellin njoftimet nga Ministria e Brendshme, Ministria e Jashtme, si dhe nga Policia”.

Më 17 prill, autoritetet në Kosovë bënë të ditur se dhjetë zyrtarë policorë të Kosovës – shqiptarë dhe serbë – ishin ndaluar nga autoritetet serbe. Pesë prej tyre u liruan po atë ditë, ndërkaq katër prej tyre u liruan sot përveç zëvendësdrejtorit të policisë, Dejan Jankoviq.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla theksoi se gjatë ditës së djeshme në pikat kufitare nga Serbia u ndaluan mbi një mijë qytetarë të Kosovës.

Ai tha se qytetarët u maltretuan dhe arrestuan si dhe u morën në pyetje lidhur me të kaluarën e tyre, lidhjet me UÇK-në, pjesëmarrjen e tyte personalisht ose të familjarëve në UÇK si dhe veprimtarinë e tyre gjatë viteve 1998-1999. 

Rruga Press

YouTube player