Gërvalla: Vuçiqi nisi t’i jetësojë kërcënimet, disa qytetarë u morën në biseda informative
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka nisur t’i jetësojë kërcënimet e tij pas votimit të djeshëm për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës.
Ajo ka thënë para mediave se bllokimi i qytetarëve në kufirin Kroaci-Serbi është pjesë “e këtij jetësimi”.
“Jemi ballafaqur me një situatë, e një veprim i tillë bazohet në ngjarjet e djeshme. Vuçiqi ka kërcënuar edhe Kosovën e edhe partnerët tanë, që vota pozitive në Këshill të Evropës do të ketë pasoja. Dje nuk eci propaganda, Vuçiqi ka nisur t’i jetësojë kërcënimet e tij. Në këtë kontekst e shoh ndalimin…Janë shkelur masivisht të drejtat e qytetatëve”, ka thënë Gërvalla.
Sipas saj, një pjesë e qytetarëve kosovarë iu nënshtruan bisedave informative.
“…Një numër i tyre u është nënshtruar bisedave informative, ka pasur qëllim që të flitet për 1999-n, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka shtuar ministrja e Jashtme.
Për procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE, Gërvalla ka theksuar se më meritorët në këtë janë presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe zëvendësministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti.
Rruga Press