KryesoreLajme

Deputetja turke, në Asamblenë Parlamentare të KE-së: Jam me prejardhje nga Kosova, e mbështes me zemër anëtarësmin

Seda Gören Bölük, deputetja e Turqisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka rekomanduar votimin pro anëtarësimit të Kosovës në KiE, duke bërë të ditur njëherësh se është me prejardhje nga Kosova.

Në seancën e sotme të Asamblesë, ajo ka theksuar se Turqia çdo herë do të jetë pro zhvillimit dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor.

“Besoj se Kosova ka ecur shumë që prej krijimit të saj kur bëhet fjalë për respektimin e të drejtave fundamentale, i mirëpres zotimet e Kosovës në nivel më të lartë, me këtë besim si parlamentare me prejardhje nga Kosova e mbështesë plotësisht me gjithë zemër raportin dhe rekomandimin për anëtarësimin e Kosovë në KiE”, ka thënë  Seda Gören Bölük.

Kryesuesi i seancës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku po diskutohet për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, ia tërhoqi vërejtjen deputetes serbe Biljana Pantiq Pilja, e cila e quajti të pa integritet dhe hipokrite Dora Bakoyannis, përpiluesen e raportit që rekomandon për anëtarësimin e Kosovës.

Pasi deputetja serbe foli ashpër, kryesuesi tha se debatet duhet të bëhen ndryshe dhe se asnjë deputet nuk mund “të shkaktojë çrregullim të procedurave”.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

“Të nderuar kolegë, dua t’ju përkujtoj që sipas rregullores së punës dhe kodit të sjelljes së anëtarëve të kësaj asambleje, debatet duhet të bëhen në mënyrë civile dhe të rregullt, dhe që anëtarët e kësaj asambleje nuk mund të bëjnë asgjë që mund të shkaktojë çrregullim të procedurave. Thjesht po ua rikujtoj të gjithë juve këtë gjë”, tha ai.

Para fillimit të seancës në Asamblenë Parlamentare të martën, Komisioni për Politikë dhe Demokraci me shumicë të madhe i ka hedhur poshtë të gjitha amendamentet e propozuara nga delegatët e Serbisë, të cilat u mbështetën edhe nga dy delegatë të Bosnje e Hercegovinës.

Serbia kishte propozuar disa ndryshime në tekstin për rekomandimin që Kosova të pranohet në këtë organizatë. Përmes tyre, kërkohej që Kosova të mos pranohet në Këshillin e Evropës derisa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mos vendosë për statusin e Kosovës.

Serbia po ashtu kërkoi që në vazhdim të procesit, Kosovës t’i vihet si kusht themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Delegacioni serb po ashtu ka kërkuar që nga teksti të hiqen të gjitha pikat në të cilat vlerësohet përparimi i Kosovës në respektimin e të drejtave të njeriut dhe pakicave dhe në vend të kësaj, Kosova të kritikohet për shkelje të të drejtave.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Zakonisht kur nuk kalojnë amendamentet në komisionin përkatës, atëherë për to më nuk debatohet dhe nuk votohet në seancë plenare të Këshillit të Evropës. Por, nëse propozuesit e tyre insistojnë që të votohet për to mund të kërkojnë një gjë të tillë nëse kanë mbështetjen e së paku 10 deputetëve të pranishëm. Prandaj, edhe pse janë refuzuar nga komisioni përkatës, përsëri ekziston mundësia që të kthehen për debat dhe për votim në Asamble.

Nga Kosova në selinë e Këshillit të Evropës ndodhet një delegacion i Kuvendit të Kosovës, ndërsa takime në nivele të ndryshme ka mbajtur edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

Rruga Press

YouTube player