Lajme

Mediave serbe u pengon edhe fotografia me shqiponjë e Ardian Ismajlit

Pasi të hënën u morën me mbrojtësin Arton Zekaj, që kishte lënë Serbinë për Kosovën, mediat antishqiptare në Serbi të martën kanë shkruar për Ardian Ismajlin.

Mbrojtësi i Shqipërisë u pengon mediave antishqiptare në Serbi për shkak të fotografisë që ka bërë në albumin për “Euro 2026”. 27-vjeçari, që luan për Empolin në Serie A, për album ka pozuar duke bërë me duar figurën e shqiponjës dykrerëshe. Dhe kjo ka çmendur opinionin në Serbi, shkruan sajti kroat “24sata.hr”.

Albumi për “Euro 2024” doli pak kohë më parë. Risi është që albumin nuk e ofron “Panini”, kompania tradicionale, por “Topps” nga SHBA-ja.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

“Provokim i turpshëm. Shqiptari tregon simbolin e ‘Shqipërisë së Madhe’ në fotografitë që shiten edhe në Serbi”, është titulli i sajtit antishqiptar “informer.rs”.

Në shkrimin gati qesharak, ky medium shkruan se “fotografia e Ismajlit është provokim i qartë ndaj popullit serb”.

“Informer” shkruan se në mënyrë të njëjtë kanë provokuar edhe Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka në Botërorin në Rusi dhe Katar. Mediumi serb ka paraqitur vërejtje në fotografitë e publikuara, por theksin e ka vënë në fotografinë e Ismajlit.

“Skandal epik. Futbollisti shqiptar tregon shqiponjën dykrerëshe në fotografitë zyrtare për “Euro 2024”, shiten edhe në Serbi”, ka shkruar “blic.rs”. Edhe media të tjera serbe kanë shkruar në frymë të njëjtë.

Ismajli është prej mbrojtësve kryesorë të Shqipërisë. Pritet të startojë në “Euro 2024”, në qendër të mbrojtjes. Ai tashmë i ka 35 ndeshje e dy gola për Shqipërinë. Në ndeshjet e marsit mungoi për shkak të një lëndimi.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

 Shqipëria paraqitet për herë të dytë në Evropianin e futbollit. Më 15 qershor përballet me Italinë në Dortmund. Më 19 qershor luan ndaj Kroacisë në Hamburg, ndërsa më 24 qershor ndaj Spanjës në Duesseldorf.

Ismajli është formuar te 2 Korriku në Prishtinë. Ka luajtur edhe për Prishtinën, Hajdukun e Splitit dhe Spezian në Itali. Tek Empoli është prej vitit 2021. Ishte kapiten i Kosovës U21, ndërsa më pas iu bashkua Kombëtares A të Shqipërisë.

YouTube player