Arroganca e Ramës e falimentoi ‘Albcontrol’-in, mazhoranca tenton shuarjen e skandalit në Parlament
Kompania publike e trafikut ajror, “Albcontrol” aktualisht është thuajse e falimentuar. Kjo falë arrogancës që tregoi kryeministri Edi Rama, ndaj sipërmarrësit italian, Francesco Becchetti. Rama refuzoi t’i paguante Beketit gjobën prej 110 milionë eurosh të vendosur nga Gjykata e Arbitrazhit, e në këto kushte Gjykata e Apelit në Bruksel vendosi sekuestro mbi shumat monetare që Eurocontrol duhet t’i paguajë “Albcontrol”, në vlerë rreth 65 milionë euro, duke detyruar kompaninë shqiptare të shkojë drejt falimentimit.
Kompania publike e trafikut ajror “Albcontrol” deri në vitin 2021 kishte fitim në rreth 5 milionë euro, i krijuar kryesisht nga të ardhurat që vinin prej tarifave që paguanin kompanitë e huaja për ulje-ngritje dhe mbikalim në territorin shqiptar. Por, aktualisht, “Albcontrol” është thuajse e falimentuar dhe kjo i dedikohet vetëm arrogancës që tregoi kryeministri shqiptar, Edi Rama, ndaj sipërmarrësit italian, Francesco Becchetti
Në vitin 2015, Rama, mbështetur edhe nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, e përndoqën personalisht Beketin, si edhe bllokuan kompanitë e tij në Shqipëri, pas një konflikti për vijën editoriale të televizionit “Agon Channel”, në pronësi të biznesmenit italian.
Në vijim, Edi Rama refuzoi, po me arrogancë, që t’i paguante Beketit një gjobë prej 110 milionë euro të vendosur nga Gjykata e Arbitrazhit.
Në këto kushte, me kërkesë të biznesmenit italian, Gjykata e Apelit në Bruksel vendosi sekuestro mbi shumat monetare që Eurocontrol duhet t’i paguajë “Albcontrol”, në vlerë rreth 65 milionë euro, duke e detyruar kompaninë shqiptare të shkojë drejt falimentimit.
Në raportin financiar të shoqërisë, të dorëzuar në vitin 2023, thuhet se: “Gjatë vitit 2022, ashtu si edhe gjatë vitit 2021, shoqëria nuk ka arkëtuar asnjë të ardhur nga shërbimi en route dhe terminal charge (ulje-ngritje dhe transit), si pasojë e një vendimi të Gjykatës së Brukselit, për ngrirjen e llogarive të Albcontrol pranë organizatës Europol”.
Tashmë, qeveria e Edi Ramës po mundohet të shpëtojë sa të mundet nga ky skandal, më së paku të sigurojë pagat e punonjësve.
Hapi i parë është ndryshimi i statusit të “Albcontrol”, nga një kompani me vetëfinancim, në një organizatë shtetërore, që paguhet nga buxheti i shtetit. Por, megjithatë, edhe kjo lëvizje nuk pritet sigurojë të ardhura për Albcontrol nga shërbimet në terminal, përsa kohë qeveria e Edi Ramës do të mbajë qëndrim refuzues ndaj gjobës së Arbitrazhit Ndërkombëtar.
Rruga Press