Haxhiu reagon për vrasjen në Ferizaj: Një krim i rëndë i cili duhet të marrë dënim maksimal
Ministrja e Drejtësisë, Albuelna Haxhiu, ka reaguar për vrasjen në Ferizaj, duke thënë se pavarësisht angazhimit institucional, gratë ende nuk janë të sigurta.
Haxhiu në “Facebook” ka shkruar se institucionet e drejtësisë duhet të jenë të pakompromisë në adresimin e këtyre rasteve, ndërsa ka bërë thirrje për dënim maksimal për të dyshuarin.
“Edhe një jetë u shua sot! E tronditur nga lajmi për vrasjen gruas në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. Një krim tjetër i rëndë i cili duhet të marrë dënim maksimal. Pavarësisht përpjekjes sonë të përditshme, angazhimit tonë të vazhdueshëm, gratë ende nuk janë të sigurta. Raste si këto na obligojnë që të vazhdojmë punën dhe angazhimin në adresimin e fenomeneve si dhuna me bazë gjinore dhe femicidi. Të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të jenë të pakompromisë në adresimin e këtyre rasteve. Jemi në komunikim me institucionet përgjegjëse që të kuptojmë të gjitha rrethanat dhe të ndërmarrim veprimet sipas kompetencës. Në këto momente të vështira jemi me familjen dhe të afërmit e të ndjerës dhe shprehim ngushëllimet më të sinqerta”, ka shkruar ajo.
Rruga Press