“Ngrihu trimi jem, se petka të ngushta po i priten atdheut”/ Gruaja e Agim Ramadanit rrëqeth me vargjet kushtuar heroit në 25 vjetorin e rënies
Sot u shënua 25 vjetori i rënies së heroit Agim Ramadani, që ishte njëri nga protagonistët kyç të zhvillimit të Betejës së Koshares.
Shukrije Ramadani, gruaja e heroit Agim Ramadani, nëpërmjet disa vargjeve poetike ka shprehur dhimbjen për mungesën e tij.
Ajo ka folur për mungesën e Agimit si person në jetën e saj, por edhe si figurë kombëtare për të cilin ka nevojë atdheu.
“Me angushti zemre në heshtje këlthas; Ngrihu trimi jem,se bajlozi i zi ende sillet truallit tonë! Zgjohu, se petka të ngushta po i priten atdheut, eja këtej kah ende tërbueshëm kalërojnë stuhitë!”, shkruan mes tjerash znj. Ramadani.
Postimi i plotë:
Në përvjetorin tënd të 25
Murana jote jam unë
Rrobat ti palova si dhimbjet e mia,
me lot ti pastrova e gjakun me u tha se lash Si dritën e syrit,buzëqeshjen ne raftin e shpirtit e ruajta!
Pa lule asnji herë stê erdha, e fjalën dy sta bana kurrë, se si nuse t’fisme e të besës më dashte!
Te dy lisat e kronit qerpiku më dridhet si teli i qiftelisë e zëri yt i ëmbël n’gurgullimë uji përzihet, trupi më mpihet nga pesha e krahut në belin tim.
Era luan me pemët e harlisura e gishterinjë lehtas t’ngatërrohen në flokët e mia plot petale.
Me duart që mi puthje aq shpesh, sot , zgjedhi lule për varrin tënd! Shpejt mbuloj tokën që mos ta shoh dheun që gjakun ta thithi ma unshëm se unê dashninë!
Me angushti zemre në heshtje këlthas; Ngrihu trimi jem,se bajlozi i zi ende sillet truallit tonë!
Zgjohu, se petka të ngushta po i priten atdheut, eja këtej kah ende tërbueshëm kalërojnë stuhitë!
Rruga Press