Gjermania e ashpër me Listën Serbe pas bojkotit të zgjedhjeve nga serbët në Veri
Anëtarët e Listës Serbe do të bojkotojnë sërish zgedhjet në veri të Kosovës. Pas kërkesave të vazhdueshme të tyre për të përsëritur zgjedhjet atje, tashmë duket se po i kthehen lojës së vjetër të bojkotit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar se anëtarët e KKZ-ve në katër komunat veriore, përfaqësues të Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje.
“Mund t’ua konfirmoj se kemi pranuar dorëheqjet nga katër anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve për komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, të cilët janë emëruar më parë nga KQZ si përfaqësues të subjektit politik Lista Serbe”, tha ai.
Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek tha se kjo parti është kundër votimit të 21 prillit për largimin e mundshëm të kryetarëve shqiptarë nga udhëheqja me komunat veriore.
Komuniteti ndërkombëtar duket i zhgënjyer nga vendimi i Listës Serbe.
Në një prononcim për mediat e kosovës ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka thënë se është shqetësuese qasje e këtij subjekti.
“Më 21 prill, organet zgjedhore në Kosovë do të mbajnë votimin për tërheqjen e kryetarëve të komunave në katër komunat veriore. Është jashtëzakonisht për të ardhur keq dhe më duhet të them shqetësuese që Lista Serbe ka vendosur sërish që të mos marrë pjesë në votim.
Është një rast i qartë këtu që qytetarëve në veri janë përsëri duke u bërë presion që të mos marrin pjesë në proceset demokratike. Për mua, politika e Listës Serbe në 18 muajt e fundit mund të përmblidhet fare sinqerisht në dy fjalë: ‘bojkot dhe dorëheqje’.
Kjo është katastrofike, një dëmtim për të gjithë qytetarët e komunave veriore dhe një tjetër autogol nga Lista Serbe, sigurisht që kjo nuk ndihmon për të siguruar që ne do të kemi në veri kryetarë që përfaqësojnë plotësisht elektoratin të cilit i shërbejnë”, tha ambasadori.
Rruga Press