KryesoreLajme

“Luksi i Radoiçiqit”, Haxhiu publikon pamje nga vila e kryeterroristit në veri

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka publikuar pamje nga vila e konfiskuar e kryeterroristit në veri, Milan Radoiçiq. Ministrja e ka vënë theksin te luksi në të cilin ka jetuar Radoiçiqi në vilën në veri të Kosovës.

Më shumë se 30 automjete, një vilë, një banesë, një restorant, e pasuri të tjera i janë konfiskuar kreut të grupit që e organizoi sulmin në Banjskë të enjten.

Të premten [sot], Haxhiu e shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka qenë në vilën e konfiskuar të Radoiçiqit, duke thënë se “kjo ka qenë jeta e një terroristi që ka bërë jetën e një milioneri”.

“Dje publikuam dokumentin e listës se aseteve të konfiskuara dhe sekuestruara të terroristit Radojçiq, sot nga afër dhe konkretisht pamë luksin në të cilin ka jetuar ky kriminel. Kjo është jeta e një terroristi që për vete bën jetë prej milioneri ndërkohë që mjet të funksionimit ka frikësimin dhe kërcënimin e komunitetit ku jeton në mënyrë që t’i shërbejnë atij”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Lexo më shumë  Zyrtari i lartë i NATO-s u bën thirrje bizneseve të përgatiten për ‘skenarë lufte’

Sipas ministres, qytetarët në veri tash janë çliruar nga Radoiçiqi dhe grupi i tij terrorist që kanë punuar për Beogradin.

“Kjo gjë ka ndërruar, qytetarët atje kanë filluar të çlirohen nga ky terrorist dhe grupi i tij që kanë punuar vetëm për veten në shërbim të regjimit në Beograd. Republika e Kosovës nuk trembet nga terrorizimi dhe është garantuese e jetës së qetë për të gjithë qytetarët pa dallim. Jemi shoqëri demokratike dhe me vlera të qarta perëndimore ku terrori, frikësimi, shantazhi dhe ilegaliteti nuk kanë vend”, ka shtuar tutje Haxhiu.

Lexo më shumë  I nominuari i Trumpit për shef të Pentagonit sulmon NATO-n e OKB-në

Më 24 shtator të vitit të kaluar, në Banjskë në veri të Kosovës, një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Kosova e konsideron këtë sulm si terrorist dhe e fajëson shtetin e Serbisë për organizim dhe kryerje të tij, derisa Beogradi zyrtar mohon diçka të tillë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Radoiçiqi. Ai ishte arrestuar e më pas liruar nga autoritetet serbe. Vazhdon të jetë i lirë, edhe pse është në listën e kërkimit të INTERPOL-it.

YouTube player