NATO-ja feston përvjetorin e 75-të
Ditën e sotme NATO-ja do të festojë 75-vjetorin. Kjo ngjarje do të shënohet me ceremoni të ndryshe në selinë qendrore të aleancës në Bruksel, si dhe në vende të tjera në kryeqytetin belg, përfshirë duke ia veshur një kostum të NATO-s Manneken Pis, statujës ikonë të qytetit të një djaloshi të vogël duke urinuar.
Dhe a ka më gallatë se kjo për organizatën ushtarake që po moshohet. Ministrat e Jashtëm të 32 aleatëve të NATO-s do të mblidhen gjithashtu për dy ditë dhe, megjithëse do të ketë shumë bisedime festive dhe optimiste për shëndetin e fortë të aleancës dhe për faktin se ky takim ministrash do të jetë i pari me Suedinë si anëtare me të drejta të plota, ka shenja për telashe të mundshme.
Ky takim dyditor vjen gati saktësisht tre muaj para një samiti vendimtar të NATO-s në Uashington D.C. në korrik.
Në samit, ministrat e Jashtëm do të merren me çështjet e njëjta sikur liderët – luftën në Ukrainë dhe si ta rrisë NATO-ja mbështetjen për Ukrainën, të ardhmen e Ukrainës pas anëtarësimit të Suedisë në NATO dhe si mund të duket rruga e saj drejt këtij synimi dhe, në fund, kush duhet ta zëvendësojë sekretarin e Përgjithshëm Jens Stoltenberg, i cili do të largohet në fund të këtij viti pas një dekade në krye të aleancës.
Ministrat e Jashtëm nuk do ta marrin asnjë vendim këtë javë për zgjidhjen e ndonjë prej këtyre sfidave, por disa gjëra duhet të zgjidhen deri në takimin e shefave të tyre në kryeqytetin amerikan nga 9 deri më 11 korrik.
Çështja më e rëndësishme është mbështetja ushtarake për Ukrainën. Meqë mbështetja amerikane për Ukrainën, në vlerë gati 60 miliardë dollarë, ka ngecur në Kongres, miqtë evropianë të Kievit janë duke bërë përpjekje këmbëngulëse për t’i dhënë çfarëdo ndihme që kanë mundësi partnerëve të vet të mangët në armatim, sepse ende ka druajtje për një ofensivë ruse në muajt e ardhshëm, e cila mund t’i thyejë vijat mbrojtëse të Ukrainës.
Prapëseprapë, humori është më pak i zymtë sesa në fillim të këtij viti. “Ka një zymtësi tani për tani, por s’është katastrofike: Rusia po çan përpara paksa, por ngadalë”, tha një diplomat i NATO-s.
Asokohe, çështja ishte furnizimi i Ukrainës me predha, e cila nuk është aspak afër të zgjidhet, por anëtarët e aleancës ushtarake kanë filluar të paktën të prodhojnë vetë shumë të tilla dhe t’i prokurojnë ato në vendet e treta nëpër botë. Sipas të gjitha vlerësimeve, kjo nuk është aspak e mjaftueshme, por parashikimi të paktën duket më i mirë.
Por, tani çështjet kryesore janë kundërajrorët dhe posaçërisht raketat për t’i mbrojtur qytetet dhe infrastrukturën ukrainase.
Një burim tha për Radion Evropa e Lirë se “kjo nuk mjafton as për Ukrainën, e as për aleancën dhe tani, ne nuk i kemi punët mirë me këtë”.
Për dallim nga predhat, raketat nuk mund të sigurohen jashtë aleancës, apo të prodhohen shpejt, sepse kjo është gjë më e ndërlikuar teknikisht.
Një mënyrë për ta zgjidhur këtë çështje u paraqit nga vetë Stoltenberg para takimit të ministrave, sipas të cilës, NATO si organizatë do t’ia ofronte Ukrainës një pako pesëvjeçare me ndihmë ushtarake në vlerë deri në 100 miliardë dollarë.
Paratë do të siguroheshin nga të gjitha vendet anëtare duke e përdorur zbërthimin e njëjtë, në përputhje me të Hyrat e Brendshme Bruto (HBB), me të cilat financohet buxheti i përbashkët i NATO-s. Por, çështja është se a do të pajtohen të gjitha vendet e NATO-s me këtë deri në kohën e samitit.
Në thelb, kjo është përpjekje e NATO-s për “të marrë përsipër” nisma të ndryshme ad hoc për ta ndihmuar Ukrainën. Kujtojeni Grupin Kontaktues të Mbrojtjes Ukrainase, tani i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe i cili bashkon 50 vende, të cilat takohen gati çdo muaj në mënyrë që ta furnizojnë Ukrainën me armë.
Apo koalicionin F-16, një grup i rreth dhjetëra aleatëve të NATO-s që po i stërvitin pilotët ukrainas se si t’i përdorin avionët luftarakë.
NATO-ja është duke e shqyrtuar njëfarë misioni trajnues për Ukrainën për t’i marrë përsipër përpjekjet e ndryshme të udhëhequra nga disa shteteve anëtare individuale, por ajo është përballur me pengesa tashmë.
Disa burime kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se Hungaria është kundër “NATO-nalizmit” tani për tani. Kishte synime brenda organizatës për ta finalizuar një draft-mandat për një mision për Ukrainën në takimin e ministrave, por kjo nuk do të ndodhë, sepse nevojiten më shumë bisedime.
Çfarë po ndodh me afrimin e Ukrainës me NATO-n?
Në samitin e NATO-s në Vilnius vitin e kaluar, u arrit marrëveshje për heqjen e Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP) për Ukrainën, një hap i nevojshëm për reforma të ndryshme politike dhe ushtarake që duhet të përmbushën para anëtarësimit. Por, gjërat nuk kanë lëvizur shumë prej atëherë.
Asnjë rrugë drejt anëtarësimit, e asnjë datë po ashtu, vetëm një fjali që thotë se “ne do të jemi në pozitë për t’i dërguar Ukrainës ftesë për t’iu bashkuar aleancës sapo të pajtohen aleatët dhe të plotësohen kushtet”.
Prej Vilniusit, NATO-ja nuk ka bërë ndonjë hap të madh në këtë drejtim. Disa, posaçërisht në krahun lindor duan të bëjnë më shumë se thjesht “gjuha e Vilniusit”, por jo edhe të tjerët. Duket se çështja kryesore është lufta. E vërteta është se shumica e anëtarëve të aleancës nuk duan konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë, prandaj nuk do të ketë anëtarësim për Ukrainën përderisa vazhdojnë luftimet.
Pyetja është se, nëse ka diçka për të ofruar në Uashington, çfarë është ajo? Njëfarë anëtarësimi i pjesshëm i cili mbulon vetëm territoret që Kievi i ka nën kontroll politikisht? A mundet, apo madje a duhet Kievi ta pranojë një marrëveshje të tillë, e cila do ta ndante de fakto vendin? Dhe, a do të pajtohen të gjitha 32 vendet anëtare për një gjë të tillë?
E tëra që e dëgjojmë tani është “periudha deri në mbajtjen e samitit në Uashington do të jetë më e vështirë sesa ajo e Vilniusit, pasi qëndrimet po bëhen të ashpra”. Zgjedhjet e këtij viti në vendet e rëndësishme anëtare të aleancës si, Shtetet e Bashkuara, dhe rënia e mbështetjes në përgjithësi për Ukrainën rreth luftës, duket se janë faktorët kryesorë për këtë ngecje.
Dhe në fund, e kemi zëvendësimin e Stoltenbergut. Kjo çështje duhej të zgjidhej në prill, me katërshen e madhe, Francën, Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara që zyrtarisht e kanë mbështetur kryeministrin në largim të Holandës, Mark Rutte.
Shumica e vendeve të tjera anëtare e mbështesin kandidaturën e tij po ashtu, përfshirë disa vende nga krahu lindor si, Estonia dhe Polonia. Por, nuk ka shenja ende se Romania, presidenti i së cilës Klaus Iohannis është kandidat rival, do të dorëzohet, veçanërisht jo derisa Hungaria duket të jetë goxha kundër Ruttes.
Turqia gjithashtu po e vonon vendimin për këtë çështje tani për tani. Kjo çështje nuk është zyrtarisht në agjendë në Bruksel këtë javë, por disa ministra pritet ta ngrenë atë dhe ta mbështesin holandezin. Pritet goxha pazarllëk në margjinat e takimit po ashtu.
Nuk duhet të jetë befasi nëse kjo çështje zvarritet deri në verë, e mbase deri në samit madje.
NATO-ja po plaket, dhe do të vazhdojnë pyetjet se a është ajo mjaft e shkathët për t’i tejkaluar të gjitha pengesat me të cilat përballet.
Rruga Press