Dokumentari për aktorin shqiptar, Kurti: Rikardi i dhuroi kinemasë një nga ikonat më simbolike
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë, mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit ‘’Rikard” në Kino Armata, në Prishtinë, dokumentar ky që ri-jetësoi aktorin Rikard Ljarja, njërin nga aktorët më të mëdhenj shqiptar.
“Çdo dokumentar i konceptuar për artistin, është dyfish i tillë. Dokument i krijimit të njërit me krijimin që e sjell tjetri. Sonte do të shohim dokumentarin e dy të mëdhenjve. Miq të artit e të mendimit’’, tha në krye të herës së fjalës së tij kryeministri Kurti, para shumë artistëve e të pranishmëve në Kino Armata.
Rikardi, sipas kryeministrit, i dhuroi kinemasë një nga ikonat më simbolike.
Teksa fliste për aktorin e madh shqiptar, ai veçoi se kur arti bën punën e vet përtej kodeve dhe direktivave, nis e zë fill një betejë sa e heshtur aq edhe fatale mes dhuntisë së artit dhe dhunës së propagandës, sepse një talent si i Rikardit vendos teprinë e talentit mbi kufizimet e lirisë.
“Mos t’i harrojmë filmat si ‘Komisari i dritës’ dhe ‘Dueli i heshtur’. Sepse në këta filma, brenda propagandës lëvrin apo regëtin talenti specifik i fushës dramatike. Arti shqiptar kishte nevojë për zë e për portret. Arti kinematografik kishte nevojë edhe për figurat e veta emblematike. Rikard Ljarja, Ndrekë Luca, Dhimitër Furxhiu, Agim Qirjaqi, Jani Riza, Kadri Roshi, apo dhe Mevlan Shanaj, sot dhe këtu si regjisor, ia dhuruan karakteret kinemasë” tha kryeministri.
E mes tisit të propagandës, në mënyrë alternative, shtoi ai, Rikardi i dhuronte skenës, sa herë që i jepej mundësia, edhe fjalimin e Mark Antonit nga Shekspiri.
Në fund, kryeministri Kurti tha se nuk ka dyshim që do të donim ta shihnim këtë dokumentar këtu në Prishtinë bashkë me Rikardin, të dëgjonim zërin e tij tek kumbonte në sallë pasi të mbyllej ekrani
Rruga Press