Nënkryetarja e PE-së: BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës. Brukseli po e përkëdhel Serbinë
Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian tregon arsyet pse Brukseli po e “përkëdhel” kaq shumë Aleksandar Vuçiqin.
“BE-ja nuk dëshiron të humbasë Serbinë ndaj Rusisë apo Kinës. Por cili është çmimi i frenimit?”, shtron pyetjen Katarina Bareley në një intervistë për median gjermane Frankfurter Rundschau.
Zyrtarja e lartë e Parlamentit Evropian thekson se “Putini dhe Kina po i afrohen Ballkanit”, teksa paralajmëron se “kompromiset mes BE-së dhe autokratëve, do të kthehen në fund në një boomerang”.
Bareley thotë se zgjerimi është një mundësi për të promovuar paqen dhe lirinë në Evropë dhe nuk ngurron të kritikojë Brukselin për favorizimin e Serbisë karshi Kosovës, duke sjellë dhe një shembull konkret.
“Në mosmarrëveshjen ndërmjet Serbisë dhe Kosovës shtatorin e kaluar, Komisioni Evropian në mënyrë të njëanshme vendosi sanksione vetëm kundër Kosovës. Duke bërë këtë, ky institucion dërgon sinjale kontradiktore”.
Nënkryetarja e PE thotë se Serbia nuk ndëshkohet nga frika e Rusisë.
Media gjermane ka marrë dhe mendimin e doktorit të shkencave politike, austriakut Vedran Džihić, i cili gjithashtu kritikon ashpër Komisionin Evropian që po mbyll sytë përballë sjelljes autoritare të Vuçiqit.
Analisti thotë me shqetësim se Brukseli po afron në bllok një Viktor Orban të dytë, që nuk ndëshkohet edhe pse vjedh zgjedhjet.
Eksperti bën thirrje për më tepër vendime të ashpra nga BE-ja në drejtim të Serbisë, teksa Vuçiqin e konsideron një politikan të afërt me Rusinë në shumë aspekte, përfshirë në qeverisje.
Formula e politologut austriak është që Brukseli të përkrahë më shumë Kosovën dhe vendet e tjera që bëjnë përpjekje reale për anëtarësim.
Rruga Press