Vendet jonjohëse në KiE do të jenë të detyruara të ndërveprojnë me Kosovën
Rekomandimi që Kosova të ftohet si anëtarja më e re në Këshillin e Evropës, me gjithë shënimin se rrethanat në të cilat iu përcoll aplikacioni Asamblesë janë të paprecedenta, është cilësuar arritje që mund të kurorëzohet me anëtarësim gjatë kësaj pranvere. Për njohësit e integrimeve, pavarësisht se respektohet qasja e vendeve jonjohëse karshi Kosovës, ato do të jenë të detyruara që të ndërveprojnë me Kosovën kur ajo të bëhet anëtare e kësaj organizate
Dhënia fund e politikës neutrale të Këshillit të Evropës (KiE) karshi statusit të Kosovës pasi që ajo të bëhet anëtare në këtë mekanizëm është duke u konsideruar si avancim në krahasuar me proceset e tjera, në të cilat shteti e synon aderimin.
Duke iu referuar “rrethanave të paprecedenta” të aplikimit dhe faktit se disa vende anëtare të Këshillit të Evropës nuk ia njohin Kosovës shtetësinë, raportuesja në këtë instancë, Dora Bakoyannis, ka rekomanduar që anëtarësimi i Kosovës të jetë “pa paragjykim ndaj qëndrimeve të shteteve anëtare individuale sa i përket shtetësisë së Kosovës”.
Por kur vendimi i Këshillit të Ministrave të hyjë në fuqi, shtetet do të obligohen që të bashkëpunojnë me Kosovën.
“18.2 Shtetet anëtare, pavarësisht nga qëndrimi që mund të shprehin në lidhje me aplikimin për anëtarësimin e Kosovës, ato respektojnë vendimin e marrë nga Komiteti i Ministrave dhe bashkëpunojnë sinqerisht dhe efektivisht në zbatimin e tij, duke siguruar funksionimin normal të institucioneve, organeve dhe mekanizmave të Këshillit të Evropës; 18.3. pasi Kosova të pranohet si shtet anëtar për qëllimet e Statutit të Këshillit të Evropës, Organizata ndërpret politikën e saj neutrale ndaj statusit”, shkruan në raportin e Bakoyannisit.
Gëzim Visoka, njohësi i integrimeve, thotë se pikat 18.2 dhe 18.3 të raportit e balancojnë pikën që i referohet statusit neutral për shkak të shteteve mosnjohëse. Sipas tij, ky formulim është më i mirë se në rastin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian (BE).
“Në rastin e MSA-së, as BE-ja e as vendet anëtare nuk e kanë konsideruar njohjen e Kosovës. Në rastin e Këshillit të Evropës, organizata do ta njohë si shtet anëtar i barabartë, por jo shtetet anëtare, përveç nëse duan ta bëjnë këtë. Do të thotë është formulim më i mirë se në rastin e MSA-së, e cila ka mbetur e heshtur në pikat tjera”, ka potencuar Visoka.
Me këtë, ai i është referuar nenit dy të marrëveshjes së MSA-së mes Kosovës e BE-së, në të cilën thuhet se: “Asnjë nga termat, formulimet apo përkufizimet e përdorura në këtë marrëveshje, duke përfshirë anekset dhe protokollet e saj, nuk përbëjnë njohje të Kosovës nga BE-ja si shtet i pavarur dhe as nuk përbën njohje nga shtetet anëtare individuale derisa ato nuk e kanë marrë një hap të tillë”.
Ndryshe prej BE-së, sipas Visokës, Këshilli i Evropës do ta njohë shtetin e Kosovës. Ai ka dhënë edhe një shpjegim për “rrethanat e paprecedenta” që përmenden në aplikacionin e Kosovës.
“Kjo është në përputhje me doktrinën dominuese që njohja është akt bilateral dhe se anëtarësimi nuk është njohje individuale apo kolektive. Por për punë të brendshme të Këshillit të Evropës, edhe vendet jonjohëse detyrohen të ndërveprojnë me Kosovën, si anëtar i barabartë”, ka deklaruar Visoka.
Me 31 vota për, 4 kundër dhe 1 abstenim, Komisioni për Çështje Politike e ka miratuar të mërkurën opinionin e raportueses për Kosovën, Bakoyannis, e cila e rekomandon Këshillin e Evropës që ta ftojë Kosovën për t’u bërë anëtare.
Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar këtë si arritje të madhe teksa ka shtuar se në pranverë procesi duhet të kurorëzohet me sukses.
“Ky është vetëm hapi i parë në këtë pranverë, hapi tjetër vjen në mes të prillit kur duhet të votohet në Asamblenë e Këshillit të Evropës dhe hapi përmbyllës është ai në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në muajin maj. Tash qytetarët e Republikës mund të kenë qasje edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejta të Njeriut, por përtej kësaj është tejet lajm i mirë për Evropën, për kombin shqiptar, për demokracinë që në këtë epokë gjeopolitike dhe historike, Federata Ruse është jashtë e Republika e Kosovës po hyn brenda”, ka thënë Kurti. “Është një lloj mirënjohje dhe mirëkuptim i madh për qytetarët e vendit tonë, të cilët po i bashkëngjiten këtij institucioni të respektuar evropian e botëror. Besoj që me këtë njëkohësisht po bëjmë hapa edhe sa i përket integrimit evropian, sepse synimi ynë është anëtarësimi në BE dhe në anën tjetër anëtarësimi në NATO, ku dihet që në të dy këto institucione, në këta organizma tejet të rëndësishëm botërorë edhe politik, edhe ushtarak, edhe vleror, edhe strategjik. Ne do të jemi pranë shteteve mosnjohëse të cilat në këtë mënyrë do të kenë një argument të fuqishëm për skeptikët në shtetet e tyre që të bëjnë hapin vendimtar dhe ta pranojnë e ta njohin pavarësinë e Kosovës”.
Por qëndrim ndryshe është shprehur në Serbi, përfaqësues të së cilës e kanë kualifikuar gjest armiqësor anëtarësimin eventual të Kosovës në KeE.
Petar Petkoviq, shef i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka paralajmëruar se Beogradi zyrtar nuk do të ndalet së kundërshtuari politikisht dhe në mënyrë procedurale anëtarësimin e Kosovës në këtë instancë. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Petkoviq ka deklaruar se “ka një dëshirë për nxitim” në zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës, për shkak të “disa interesave gjeostrategjike që kanë pak të bëjnë qoftë me Beogradin apo Prishtinën”.
“Por, ata që vendosin për këtë le të mendojnë me kujdes nëse anëtarësimi eventual i Prishtinës në Këshillin e Evropës do të kontribuojë për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim në kontinentin tonë, apo nëse do ta kishte efektin e kundërt”, ka thënë Petkoviq.
Ai ka shtuar se Serbia u bën thirrje partnerëve të saj në KeE që “të kenë parasysh se një rezultat i tillë do të ishte precedent që do të shkatërronte vetë parimet fondamentale të kësaj organizate, kur vendosin që të përfshijnë edhe Kosovën”.
“Do të ishte qartësisht një gjest armiqësor karshi Serbisë, e cila deri më tani ka qenë anëtare aktive dhe e përkushtuar e kësaj organizate ndërkombëtare”, citohet të ketë thënë Petkoviq.
Mediat serbe kanë raportuar se kundër Kosovës kanë qenë dy vota nga Serbia, një nga Mali i Zi, një nga Bosnjë-Hercegovina, ndërsa përfaqësuesi nga Greqia ka abstenuar.
Votat kundër nga Serbia janë në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe në Ohër, bazuar në të cilat asnjëra palë nuk duhet që ta pengojë tjetrën drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Pas votimit të së mërkurës në Komisionin për Çështje Politike, tani çështja e anëtarësisë së Kosovës në KiE i kalohet Asamblesë Parlamentare, e cila do të mblidhet më 16 prill. Nëse opinioni kalon edhe në këtë instancë, atëherë vendimmarrja finale i mbetet Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare, i cili do të mbajë një takim në maj të këtij viti.
Komisioni e ka vlerësuar arritje të madhe zbatimin e vendimit të Kosovës për pronat e Manastirit të Deçanit, përderisa themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe Kosovës i është përshkruar si një “angazhim pas anëtarësimit”.
Komisioni ka rekomanduar gjithashtu që të iniciohet një procedurë monitorimi për Kosovën, për të siguruar respektimin e zotimeve dhe obligimeve që nga anëtarësimi i saj.
Kosova e ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022, derisa më 24 prill 2023 aplikacioni iu përcoll për konsultim sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës.
Nga 46 shtete anëtare sa janë në Këshillin e Evropës, Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë instancë i duhet mbështetja prej dy të tretave.
Rruga Press