Austria mbështetëse e Kosovës në procesin e integrimit evropian
Austria do ta mbështesë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në procesin e mëtutjeshëm integrues në Bashkimin Evropian, ka thënë ministrja austriake e Drejtësisë, Alma Zadić.
Zadić gjatë vizitës në Kosovë ka takuar ministren e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu. Ato kanë nënshkruar Deklaratë të Përbashkët të Bashkëpunimit mes dy shteteve Kosovë-Austri.
Haxhiu ka thënë në një konferencë për media se çdo ditë e më shumë, Kosova po vazhdon të ndërtojë marrëdhënie të mira bilaterale me vende të tjera, të cilat vazhdojnë ta ndihmojë shtet-ndërtimin e vendit, por edhe forcimin e subjektivitetit juridik ndërkombëtar.
Tutje, Haxhiu ka shtuar se Deklarata e Përbashkët lidhur me Fuqizimin e Sundimit të Ligjit, por edhe procesi i fillimit të negocimit të Marrëveshjes për Bashkëpunim Gjyqësor në Çështjet Penale, përveç se thellojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve Kosovë-Austri, gjithashtu kontribuojnë edhe në fuqizimin e sundimit të ligjit.
Zadić ka theksuar se Austria i njeh përpjekjet dhe arritjet e Kosovës për sundimin e ligjit dhe se mbeten mbështetësit afatgjatë në fushën e sundimit të ligjit.
Rruga Press