Përfundon takimi në Bruksel: S’ka marrëveshje për dinarin
Ka përfunduar pa marrëveshje takimi mes kryenegociatorëve – ai i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe i Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.
Pas takimit Bislimi ka shprehur nevojën për një takim shtesë për zgjidhjen e çështjes së dinarit serb.
“Mendimi im është se këto propozime ende janë shumë larg njëra-tjetrës. Pavarësisht përpjekjeve për afrim, duket se është e nevojshme një takim shtesë, i cili ndoshta do të ndodhë javën e ardhshme nëse zoti Lajçak e gjykon të përshtatshëm, u shpreh Bislimi.
Ai nuk ka dhënë detaje të hollësishme rreth propozimeve të diskutuara në Bruksel, të ndërmjetësuara nga i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, duke shpjeguar se zbulimi i detajeve mund të kishte një ndikim negativ në procesin.
“Ne kemi dy propozime. Jemi të vetëdijshëm për fokuset e secilës palë, por në këtë moment është më e mençur të mos zbulojmë detajet për të mos dëmtuar procesin negociator”, u shpreh Bislimi.
Ndërkaq takimi i 25 marsit, ishte vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit.
Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.
Por javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do të pranohen propozime për dinarin që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së.
Rruga Press