KryesoreLajme

Bislimi: Të premten do të dorëzojmë propozim për çështjen e dinarit

Kryenegociatori Besnik Bislimi, pas takimit në Bruksel, ka thënë se deri të premten Kosova dhe Serbia do të dërgojnë propozime për çështjen e dinarit e javën e ardhshme pritet të diskutohet për to.

Bislimi u takua me emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, të martën. Mes çështjeve, u diskutua edhe ajo për dinarin.

Pas takimit, Bislimi ka thënë se u dakorduan se si të vijohet rruga për të dalë nga ky ngërç.

“U dakorduam që deri të premten secila palë të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet zgjidhja afatgjate e dinarit. Dhe pastaj javën e ardhshme do të mblidhemi sërish të diskutojmë se a mund të gjejmë hapësire që këto dy propozime të bëhen një propozim”, ka thënë ai pas takimit.

Sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, në takimin e sotëm pala serbe ka thënë se nuk e njeh Marrëveshjen Bazike si të tillë.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

“Ne në vazhdimësi duam të dëgjojmë edhe nga pala serbe se a kemi marrëveshje dhe a jemi të përkushtuar ta zbatojmë. Kryenegociatori serb iu bishtnua përgjigjes disa herë, në fund tha se për Serbinë është problematike marrëveshja pasi ka nene të cilat merren me statute, sidomos ato nene që tregojnë për respektimin e integritetit territorial, për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe të ngjashme. Në fakt, na u tha që Serbia nuk e njeh marrëveshjen si të tillë. Ai tha se për Serbinë është e pamundur të nënshkruhet një marrëveshje me Kosovën. Kur pastaj vetë pala serbe iu referua marrëveshjes së vitit 2013 të cilën e kanë nënshkruar, por Petkoviqi tha se ne nënshkruajmë marrëveshje vetëm aty ku s’diskutohen statutet”, ka thënë Bislimi.

Bislimi tutje ka thënë se Lajçaku ka konstatuar se është dëshpëruese që edhe një vjet pas dakordimit për Marrëveshjen Bazike dhe Aneksit të Zbatimit, “nuk janë bërë përparime substanciale”.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

“U trajtuan mundësitë se si të formalizohet respektivisht të regjistrohet Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Zbatimit. U kuptua brenga e Kosovës se mosnënshkrimi ka ndikuar në moszbatim të marrëveshjes, por edhe në ashpërsinë e situatave në terren, qoftë përmes barrikadave, qoftë me sulmin si në Banjskë, e cila kulmoi me letrën e Bërnabiqit në BE që nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”, ka shtuar ai.

Në takim, siç ka thënë Bislimi, u diskutua edhe për dokumentin për termin e referencës për personat e zhdukur me dhunë. U diskutua edhe për energjinë.

“Është e vërtetë që ‘Elektroseveri’ ka shpërndarë dhe ka filluar inkasimin, por ende nuk janë liruar linjat e konjeksionit. Petkoviqi ka thënë se linjat e konjeksionit nuk janë pjesë e marrëveshjes, por u kundërshtua nga Lajçaku”, ka deklaruar Bislimi, i cili ka thënë se Lajçaku do të përgatit një letër e cila u tregon vendeve të BE-së se dialogu dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës janë të ndarë.

YouTube player