Lajme

Ministrja Gërvalla në bashkëbisedim me mërgatën në Stuttgart: Mërgata bëri të mundur kthesën historike

Situata aktuale e sigurisë në Kosovë, regjistrimi i mërgatës, mësimi plotësues në gjuhën shqipe, votimi në Ambasada dhe Konsullata si dhe rikthimi i nënshtetësisë së Republikës së Kosovës ishin temat kryesore të bashkëbisedimit që Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, mbajti me mërgatën në Stuttgart të Gjermanisë, me një pjesëmarrje dhe interesim të madh të tyre, nën organizimin e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Shtutgart, me konsull, Hamdi Berbatovci.

Gjatë këtij bashkëbisedimi, ku mori pjesë edhe kryetarja e komisionit, për Punë të Jashtme dhe Diasporës, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni dhe Këshilltari i Lartë Politik në MPJD, Prof. Rexhep Gjergji,  Ministrja Gërvalla falënderoi mërgatën duke vlerësuar lart kontributin e saj historik për Kosovën, duke u nisur nga lobimi, mbështetja financiare dhe pjesëmarrja aktive në luftën e fundit, rindërtimi i Kosovës dhe sot në zhvillimin e vendit përmes investimeve të shumta në Kosovë në të gjitha sferat.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Ministrja Gërvalla informoi bashkëkombësit rreth proceseve aktuale në Kosovë, duke thënë se falë vendosmërisë së mërgatës dhe mbështetjes së madhe për arritjen e ndryshimit të shumëpritur dhe të dëshiruar, Republika e Kosovës sot ka shtrirë sovranitetin në tërë vendin, ka avancuar në fusha të rëndësishme, duke u nisur nga sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit, fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar si dhe rritja e eksportit dhe ekonomisë në përgjithësi.

Ulja e çmimeve për shërbimet që mërgata jonë merr në Ambasada dhe Konsullata është një tjetër vendim që Ministrja Gërvalla tha që ka marrë ditëve të fundit.

Ministrja Gërvalla gjatë bashkëbisedimit me mërgimtarë foli edhe rreth regjistrimit të mërgatës duke bërë thirrje që data 05 Prill 2024 deri më 17 Maj 2024 të shfrytëzohet kjo e drejtë, e cila do të ndihmojë institucionet tona në hartimin dhe planifikimin e politikave zhvillimore dhe strategjike për mërgatën.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Zhvillimi më efikas i mësimit plotësues në gjuhën shqipe, votimi në Ambasada dhe Konsullata si dhe rikthimi i nënshtetësisë së Republikës së Kosovës ishin temat e tjera të këtij bashkëbisedimi ku mërgimtarët u shprehën të kënaqur që tani më lehtë mund të marrim pjesë në zgjedhje dhe demokracinë në Kosovë.

Të pranishmit në këtë bashkëbisedim dhanë pikëpamjet e tyre rreth zhvillimit të Kosovës, investimeve nga mërgata, hapjen e vendeve të reja të punës në Kosovë, fuqizimin e tyre në diasporë përmes rrjetëzimit dhe organizimit më të mirë.

Rruga Press

YouTube player