Lajme

KLSH zbulon abuzimet e KESH: 6 milionë euro dëm financiar

Rreth 6 milionë euro dëm financiar i ka shkaktuar KESH buxhetit të shtetit për vitet 2021 dhe 2022. Teksa KESH refuzon të çojë bilancet kontabël në Qendrën kombëtarë të biznesit, KLSH ka publikuar raportin që evidenton dhjetëra shkelje të Korporatës Elektroenergjitike shqiptare. Sipas raportit, KESH  i ka falur një sasi energji me vlerë rreth 2.7 milionë euro një kompanie private, ndërsa ka shpenzuar 1.5 milionë euro për riparim atomjetesh. Gjatë periudhës që vendi ishte me kufizime të lëvizjeve për shkak të pandemisë, KESH ka paguar 1.7 milionë euro dieta ushqimore për stafin e saj, duke ngritur jo pak pikëpyetje për këto shpenzime.

Teksa prej një viti, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare refuzon të dorëzojë bilancet kontabël në Qendrën Kombëtare të Biznesit për vitin 2022, një raport i publikuar së fundi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nxjerrë në pah abuzimet financiare në këtë ent publik. Në raportin e KLSH, është gjetur se KESH përgjatë vitit 2021 dhe 2022, ka kryer shpenzime financiare me ndikim negativ në buxhet në vlerën e 609 milionë lekëve apo rreth 6 milionë eurove. Një nga dëmet më të mëdha financiare që KESH i ka shkaktuar shtetit, është ajo për blerjen e energjisë elektrike. Në raportin e KLSH, thuhet se KESH i ka falur pothuajse 2.7 milionë euro një kompanie private për shkak të llogaritjeve të gabuara të çmimit të energjisë.

KLSH: “KESH SHA ka shkëmbyer energji elektrike me Kompaninë “N” SHPK, sipas marrëveshjes së nënshkruar datë 04.05.2021.Deri me datë 31.12.2022, gjendja e shkëmbimit të energjisë elektrike paraqitet në dhënie sasie 149442 MẆh, ndërsa në marrje sasia 132002 MẆh, me një diferencë në shumën 17440 MẆh. Referuar çmimit mesatar të blerjes së energjisë elektrike dhe çmimit të bursës për vitin 2022 si pasojë e mos marrjes së energjisë elektrike të rezervuar pranë Kompanisë “N” SHPK për këtë vit, KESH SHA rezulton me humbje me vlerë 2,774,536 Euro vlerë e cila konsiderohet efekt financiar.”

Një tjetër dëm financiar, që kap vlerën e rreth 1.5 milionë eurove, është ai që ka ardhur nga shpenzimet për riparimin e automjeve.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

KLSH: “Gjatë auditimit të pagesave të kryera me bankë, për periudhën objekt kontrolli të auditimit, KESH ka bërë pagesa për shërbime riparimi të automjeteve të shoqërisë ndaj Operatorit Ekonomik, “A” sh.p.k. Në procesin e dokumentimit të shpenzimeve për riparime automjetesh u konstatuan parregullsi që kanë lidhje me dokumentet justifikues të marrjes në dorëzim. Deri më datë 31.12.2022, shoqëria “A” sh.p.k., i ka faturuar KESH sh.a., vlerën 156,544,680 lekë për riparime dhe shërbime të automjeteve. Vlera 156,544,680 lekë përbën shpenzime pa ekonomicitet për KESH sh.a.”

Shpenzimi për dieta ushqimore, është një tjetër pikë e gjetjes së KESH, ku përgjatë viteve 2021 dhe 2022, ky ent ka shpenzuar rreth 1.7 milionë euro për dieta ushqimore. Po sikur të mos mjaftonte vlera e lartë e shpenzuar në një kohë që vendi ishte në karantinë për shkak të pandemisë covid-19, KLSH zbulon se KESH ka shpenzuar rreth 680 mijë euro para për dieta ushqimore më shumë seç duhej.

KLSH: “Nga auditimi i dokumentacionit të listë pagesave të vitit 2021 dhe 2022 rezultoi se dieta për trajtim ushqimor është paguar në masën 500 lekë vakt/ditë pune, ndërkohë që duhet të paguhej 300 lekë/ditë. Nga llogaritja e listëpagesave të vitit 2021 dhe 2022 rezulton se ky përfitim është në masën 170,018,888 lekë, nga 102,011,333 lekë që duhej të ishte pra është paguar më tepër shuma prej 68,007,555 lekë e cila konsiderohet shpenzim pa efektivitet për buxhetin e shoqërisë.”

Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, për KESH, dëme financiare janë gjetur edhe të shpërblimet për pagat në vlerën e rreth 600 mijë eurove, në një kohë që sipas KLSH nuk është bërë një analizë për arritjen e objektivave, çka do të justifikonte dhe dhënie e këtyre shpërblimeve.

KLSH: “Me Vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të KESH SHA nr. 6295 prot, datë 29.12.2021 “Për dhënien e një shpërblimi të veçantë mbi pagë në fund të vitit për punonjësit e KESH SHA”, janë dhënë shpërblime me vlerën 61,402 mijë lekë. Duke qenë se shoqëria nuk ka një analizë të realizimit të objektivave, vlera 61,402,000 lekë konsiderohet shpenzim pa efektivitet për buxhetin e shoqërisë.”

Të tjera shpenzime me efekt negativ në buxhet janë ato për gjyqet e humbura për largimet e padrejta nga puna, tenderat publikë apo dhe kontraktime të ndryshme.

Rruga Press

YouTube player