Identifikimi elektronik dështoi në 12% të qendrave të votimit, thotë KQZ-ja në Shqipëri
Nga Gjergj Erebara
Procesi i identifikimit elektronik të votuesve, i cili u ndërtua dhe u përdor në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe ato të pushtetit vendor më 2023, synoi të zhveshë zgjedhjet shqiptare nga disa shqetësime të përsëritura, përfshirë votimin familjar, votimin në vend të një shtetasi tjetër dhe votimin e dyfishtë. Por një analizë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve zbuloi se në zgjedhjet e 14 majit 2023 për pushtetin vendor, pajisjet nuk funksionuan në 581 nga rreth 5200 qendra votimi në të cilat u përdor, bëhet e ditur nga një analizë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Pajisja Elektronike e Identifikimit (PEI) u ble nga KQZ përmes një procesi prokurimi. Synimi i saj është leximi i kartave ose pasaportave biometrike dhe leximi i shenjës së gishtit të votuesit, në mënyrë që të mos ketë pasiguri në këtë proces dhe të shmanget votimi për të tjerët.
Arsyet e mosfunksionimit të identifikimit elektronik ndahen në tre kategori të mëdha, sipas studimit; mungesa e operatorëve, mungesa e lidhjes me rrjetin GSM të komunikimit të lëvizshëm dhe pajisje defektoze.
Në 12 për qind të rasteve kur pajisja nuk punoi, arsyeja ishte e thjeshtë: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk arriti të gjejë punonjës për t’i operuar. Më së shumti këto raste i takonin qarqeve Vlorë dhe Gjirokastër, dy qarqe të depopulluara ndjeshëm gjatë dekadave të fundit.
“Qendrat e votimit të kategorisë së parë, që nuk kishin operator në qendrat e votimit për të përdorur pajisjen PEI, i përkasin në pjesën dërrmuese të tyre qarqeve Vlorë dhe Gjirokastër, konkretisht bashkive të Dropullit, Finiqit dhe Konispolit. Për këto bashki ka dështuar procesi i rekrutimit të operatorëve. Vështirësia e rekrutimit të operatorëve për shkak të emigrimit të popullsisë është një situatë e përsëritur në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021,” shkruhet në raportin e auditimit.
Në kategorinë e dytë, ku ishte më shumë se sa gjysma e rasteve, problemi qëndronte jo te mosfunksionimi i pajisjes por te mungesa e valëve GSM. Sipas KQZ-së, në këto raste pajisjet punuan dhe e kryen funksionin e identifikimit të zgjedhësve por nuk i transmetuan të dhënat në KQZ.
Në rreth 200 raste, pajisja nuk punoi pavarësisht se operatori ishte në detyrë dhe transmetimi dukej se funksiononte. Në këto raste problemet lidheshin me kategori të ndryshme defektesh fizike, përfshirë mosleximin e portës USB apo soft i instaluar gabim. Pajisja përdor portën USB për të lexuar një magazinë të dhënash ku gjendet lista e zgjedhësve të qendrës përkatëse të votimit.
Raporti i auditimit vëren gjithsesi se sistemi i regjistrit të aktivitetit të pajisjeve nuk mbante shënim të dhëna të detajuara për të kuptuar se çfarë nuk shkoi siç duhet rast pas rasti por vetëm të dhëna të përgjithshme që funksionoi apo nuk funksionoi.
“Nga konstatimet e ekspertëve të jashtëm u vu re që pajisjet PEI dokumentojnë (log) file vetëm në pjesën bazike të operimit dhe konfigurimit. Në këtë mënyrë është e pamundur të diagnostikohen dhe dokumentohen hapat e sakta që janë ndërmarrë në një pajisje të caktuar pasi niveli i detajimit të LOG është shumë i thjeshtë dhe bazik,” shkruhet në raport.
Rrjedhimisht, një kod error mund t’i referohet dhjetëra problemeve të ndryshme, të cilat nuk mund të identifikohen saktë./BIRN
Rruga Press