SBU e Ukrainës, prapa sulmeve ndaj rafinerive ruse të naftës
Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) qëndron prapa një vale të sulmeve me dronë ndaj disa rajoneve ruse më 13 mars, që raportohet se kanë shkaktuar zjarr në një rafineri të Rosneft-it dhe kanë shënjestruar caqe të tjera ekonomike dhe ushtarake, tha një burim në SBU për Radion Evropa e Lirë.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha më herët se mbrojtja ajrore ka rrëzuar 65 dronë ukrainas në gjashtë rajone – 35 në Voronezh, 25 në Belgorod, tetë në Brjansk dhe Kursk, një në Leningrad, një në rajonin e Rjazanit – përderisa zyrtarët rajonalë raportuan se rafineria e naftës e Rosneft-it në Rjazan u sulmua një ditë pasi një sulm me dron shkaktoi dëme të mëdha në rafinerinë e Lukoil-it.
Pavel Malkov, guvernator i Rjazanit, që gjendet afër 180 kilometra në juglindje të Moskës, tha se rafineria lokale e naftës e kompanisë Rosneft – e shtata më e madhja në Rusi – është përfshirë nga flakët si pasojë e një sulmi me dron. Ai nuk raportoi për viktima.
Kanali SHOT në Telegram raportoi se nga sulmi në degën e Rosneft-it, Ryazannefteprodukt, janë plagosur dy persona.
Burimi nga SBU i tha REL-it se tri rafineri të naftës në Rusi – një në Rjazan, një në Kstovo në rajonin Nizhni Novgorod dhe një në Kirishi në rajonin e Leningradit – janë shënjestruar nga dronët ukrainas, teksa Kievi po synon të shkaktojë sa më shumë dëme në ekonominë ruse.
“Sistematikisht, ne kemi zbatuar një strategji të detajuar për të dobësuar potencialin ekonomik të Federatës Ruse. Detyra jonë është ta privojmë armikun nga burgimet dhe të zvogëlojmë rrjedhën e parave të naftës dhe karburantit, të cilat Rusia i përdor për luftën dhe vrasjen e qytetarëve tanë”, tha burimi.
Dronët ukrainas po ashtu kanë shënjestruar një bazë ajrore ruse në Buturlinjvka, dhe një bazë ajrore ushtarake në rajonin e Voronezhit, tha burimi.
“Ne jemi në luftë me gjithçka që financon ushtrisë ruse dhe luftën. Dhe Rusia është në luftë me civilët dhe me ndërtesat e larta”, tha Andriy Yermak, shefi i zyrës së presidencës ukrainase përmes një postimi në Telegram, pa konfirmuar sulmet.
Sulmet e 13 marsit ndodhën një ditë pas një vale tjetër sulmesh që goditën disa shënjestra në Rusi, teksa u raportua për zjarr në dy ndërtesa të mëdha të naftës.
Sulmet dëmtuan rafinerinë NORSI të Lukoil, që është rafineria e katërt më e madhe në Rusi.
Rruga Press