Sport

Latifi: Ja pse zgjodha Vllazninë, shpresoj të shënoj e t’i jap kualifikimin ekipit

Në krah të trajnerit Brdariç për të folur për ndeshjen ndaj AEL Limassol ishte edhe Liridon Latifi. Lojtari bëri edhe paraqitjen e parë para gazetarëve me fanellën kuqeblu, teksa foli për arsyet që zgjodhi Vllazninë për t’u rikthyer në Superiore dhe shanset që ka ekipi për t’u kualifikuar më tej në Conference League.

Riktheheni në kampionatin shqiptar aty ku e latë  në kupat e Europës me Skënderbeun dhe tani te Vllaznia. Si po ju shkon kjo aventurë tani në Shkodër?

“Normalisht kupat e europës janë motivim shtesë për lojtarin edhe jemi duke e shijuar mirë dhe shpresoj që të vazhdoj ky ritëm dhe t’ia arrijmë ta kalojmë këtë raund që do të jetë shumë i rëndësishëm”.

Me aq sa keni parë, sa i kalueshëm është ky raund përballë këtij kundërshtari dhe sa pozitiv është fakti që këta tifozë do të ndihmojnë skuadrën?

“Normal që është një ekip i kalueshëm, nuk është se nuk mund ta kalojmë por ne duhet të jemi shumë të përqendruar. Shpresoj të jemi në ditën tonë më të mirë, sepse ata janë një ekip me lojtarë individualistë shumë të mirë, mund të na dënojnë shumë lehtë. Ne si grup shumë i forte që jemi, kemi një staf shumë të mirë. Shpresoj t’ia arrijmë qëllimeve tonë dhe ashtu si e ka përgatitur trajneri taktikisht, të ecë ndeshja”.

Kaluat jo pak probleme shëndetësore në Qipro, si është gjendja e Latifit?

Kemi pasur probleme atje. Jo vetëm unë, por edhe 3-4 lojtarë dhe tashi besoj se të gjithë janë mirë, sepse ka kaluar një javë. Besoj se të gjithë do të jemi në rregull dhe të gatshëm për ndeshje”.

Jeni i vetmi lojtar i Vllaznisë që keni eksperiencë në Kupat e Europës, cila do të jetë këshilla që keni për lojtarët e tjerë të skuadrës për këtë ndeshje?

“Kam biseduar me shumë lojtarë, jam munduar të jap sadopak eksperiencën që kam. Këshilla e vetme që do të jepja është se duhet të jemi shumë të përqendruar dhe me një komunikim mjaft të lartë, shumë më të lartë se në kampionatin shqiptar”.

Cilat janë arsyet që zgjodhët Vllazninë?

“Arsyeja ishin bindjet e presidentit dhe normalisht një nga arsyet kryesore ishte edhe trajneri, i cili ka një eksperiencë të jashtëzakonshme në futbollin evropian, siç e dinë të gjithë”.

Besimi për kualifikimin është i madh, si mendoni do të shkojë në shtesë apo edhe me penallti ndeshja?

“Nuk e di çfarë të them, shpresoj që ta mbarojmë para kohe pa kohë shtesë. Ne duhet të shënojmë dy gola dhe të mbyllim ndeshjen por nuk i dihet. Edhe nëse shkojmë në shtesa, do të japim maksimumin për t’u kualifikuar”.

Një gol këtë ndeshje nga Latifi do të ishte fantastike, një gol kualifikimi?

“Të gjithë po shpresojmë që ta gjej rrugën e golit. Do të jetë shumë mirë për mua, por edhe për gjithë skuadrën“, u shpreh sulmuesi më i ri i Vllaznisë i bashkuar këtë verë me kuqeblutë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *