Nisin kontrollet për punëtorët e padeklaruar. Ftohen punëtorët të raportojnë nëse s’kanë kontrata e parregullsitë tjera
Zëvendësministrat nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Avni Zogiani dhe Agon Dobruna, të shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj dhe kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, kanë vëzhguar nga afër ekipet inspektuese të ATK-së dhe IP-së teksa ato kanë bërë inspektime nëpër biznese përkatësisht në sektorët e ndërtimtarisë dhe gastronomisë në komunën e Prishtinës për të identifikuar bizneset që mbajnë punëtorë të padeklaruar.
Në një njoftim për media thuhet se në këto vizita të realizuara, bizneset dhe punëtorët u informuan rreth rëndësisë së deklarimit të punëtorëve dhe fillimit të kampanjës së gjithëmbarshme, e cila ka për synim rritjen e zbatimit të ligjeve në fuqi përmes identifikimit dhe gjobitjes së punëdhënësve që shkelin ligjin dhe të drejtat e punëtorëve duke mos i deklaruar dhe duke mos ua paguar kontributet.
“Ftojmë të gjithë punëtorët që t’i bashkohen kampanjës në fjalë, duke shfrytëzuar të gjithë mekanizmat të cilët janë në dispozicion nga MFPT”, thuhet në njoftim.
Për të parë nëse jeni të deklaruar në ATK ju lutem vizitoni vegëzën në vijim: https://apps.atk-ks.org/regemployer
Nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) theksohet se nëse rezulton se jeni të padeklaruar, atëherë keni mundësi që ta raportoni punëdhënësin në vegëzën e njëjtë.
“Nëse nuk jeni të pajisur me kontratë pune, ju mund ta raportoni punëdhënësin në Inspektoratin e Punës përmes linjës pa pagesë në numrin 080077577, në adresën elektronike: inspektorati.punes@rks-gov.net ose duke vizituar qendrat e Inspektoratit Qendror të Punës në 7 rajonet e Kosovës”, sqarohet në njoftim.
Rruga Press