KryesoreLajme

Osmani përfaqëson Kosovën në samitin për Ukrainën në Tiranë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të kryeministrit Edi Rama të Shqipërisë, ka udhëtuar për Tiranë për ta përfaqësuar Kosovën në samitin Ukrainë- Evropa Juglindore.

Në këtë samit, presidentja Osmani do të jetë krahas presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe liderëve të tjerë nga Evropa Juglindore.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se “në dyvjetorin e fillimit të luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, samiti synon të riafirmojë angazhimin e përbashkët të shteteve të Evropës Juglindore për mbështetje ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”.

Nga ky samit, parashihet t’i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta rrisë fuqishëm mbështetjen për Ukrainën, si dhe të diskutohet ndihma konkrete e shteteve të EJL-së për Ukrainën.

Lexo më shumë  Dosja e SPAK/ Banda e Suel Çelës shoqëroi Edi Ramën në Elbasan

Samiti Ukrainë-Evropa Juglindore do të zhvillohet në datat 28 dhe 29 shkurt në Pallatin e Kongreseve, ku do të marrin pjesë 13 shtete të Evropës Juglindore.

Çfarë është Samiti për Ukrainën?

Këtë samit, Rama e kishte paralajmëruar qysh më 22 janar, gjatë pjesëmarrjes në konferencën “Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe integrimi më i shpejtë në BE”, që ishte mbajtur në Shkup të Maqedonisë Veriut.

Atëkohë, ai kishte thënë se në të do të flitej për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.

Sipas agjendës që u publikua, Rama dhe Zelensky pritet të mbajnë fjalime hapëse dhe pastaj një takim prapa dyerve të mbyllura.

Samiti do të përmbyllet me daljen e tyre në një konferencë për media.

Kush do të marrë pjesë?

Përveç Ramës e Zelenskyt, pjesëmarrës do të jenë edhe disa liderë të shteteve të Evropës juglindore dhe komisionari i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhleyi.

Lexo më shumë  Hiqet masa e arrestit në shtëpi për kreun e opozitës Sali Bershia

Siç merret vesh, të pranishëm do të jenë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Krishto dhe presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.

Liderë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi – pritet të qëndrojnë në Tiranë edhe të enjten.

Më 29 shkurt, në kryeqytetin shqiptar do të zhvillohet samiti rajonal për planin e rritjes dhe integrimin më të shpejtë në BE.

Edhe në këtë samit do të marrë pjesë komisionari i BE-së, Varhelyi.

YouTube player