KryesoreLajme

Kurti: Britania vend që nuk ua kthen shpinën aleatëve të saj, nuk rri duarkryq përball agresionit dhe dhunës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Britania e Madhe është vend që nuk ua kthen shpinën miqve dhe aleatëve të saj e as nuk rri duarkryq përball agresionit dhe dhunës.

Kështu ka deklaruar ai gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, ku i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, ka marrë pjesë në përurimin e nismës “Labour Friends of Kosova” (Miqtë Laburistë të Kosovës).

“Kur mendoj për Mbretërinë e Bashkuar, mendoj për vlerat tuaja: tolerancën, modestinë, guximin dhe më e rëndësishmja, nderin. Britania është një vend që nuk ua kthen shpinën miqve dhe aleatëve të saj. Një vend që nuk rri duarkryq dhe nuk shikon përballë agresionit, dhunës dhe terrorit. Ne e dimë shumë mirë këtë dhe vazhdojmë ta ndiejmë dhe ta vlerësojmë atë mbështetje”, është shprehur Kurti.

“Labour Friends of Kosova” është një grup i Parlamentarëve Laburistë në Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim promovimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Lexo më shumë  FSK shënon sot Ditën e Forcës

Në fjalën e tij, kryeministri ka thënë se është i bindur që kjo nismë do t’i fuqizojë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“Duke folur për raportet dhe lidhjet ndërmjet dy vendeve, ai veçoi personalitetet e shquara nga kultura dhe sporti, si Dua Lipa e Rita Ora, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri gjatë kohës sa luanin në Premier Ligën e Futbollit britanik, por edhe personalitete të tjera veprimtaria e të cilëve ka luajtur rol të rëndësishëm në marrëdhëniet tona”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

“Ndër ta është Esat Kryeziu i cili ka shërbyer në Forcat Ajrore Mbretërore gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe i cili pas vdekjes së tij, është nderuar nga tanimë e ndjera Mbretëresha Elizabeth me pesë medalje për shërbimin e tij ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe forcave aleate. Një tjetër personalitet është ai i heroit kombëtar shqiptar nga Kosova, Gani beg Kryeziu që luftoi kundër fashizmit përkrah ushtarëve britanikë, në po të njëjtën Luftë, dhe që ishte anëtar i Ekzekutivit të Operacioneve Speciale të formuar nga ministri i atëhershëm i Punës për Luftën Ekonomike dhe më vonë kancelari, Hugh Dalton”.

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

Kurti më tej ka thënë se “diaspora jonë, e cila u largua nga vendi si rezultat i fushatës gjenocidiale të Serbisë gjatë viteve të 90-ta, është integruar me sukses në Mbretërinë e Bashkuar”. Ai ka shtuar se ky komunitet përfshin jo vetëm emrat e famshëm, por edhe njerëz të suksesshëm në shumë sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe shoqërisë.

“Ai theksoi rolin e rëndësishëm që Partia Laburiste ka luajtur në momente kritike për popullin dhe shtetin e Kosovës, duke kujtuar që si në rastin e intervenimit të NATO-s në vitin 1999 të mbështetur fuqishëm nga Mbretëria e Bashkuar ashtu edhe me rastin e njohjes së pavarësisë të shpallur në vitin 2008 nga Kosova, qeveria britanike udhëhiqej nga laburistët, përkatësisht nga ish-kryeministri Tony Blair dhe ish-kryeministri Gordon Brown”.

YouTube player