Serbia po përpiqet t’i heshtë rusët që po e kundërshtojnë luftën
ROGACA, Serbi (AP) – Kur Elena Koposova nënshkroi një letër të hapur kundër pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ajo nuk priti reagime të kundërta në shtëpinë e re në Serbi.
Serbia po kërkon zyrtarisht të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian duke pranuar të gjitha vlerat demokratike që shkojnë së bashku me anëtarësimin, ka menduar ajo. Tash, e sheh që e ka pasur gabim.
Dy vjet pas nënshkrimit të letrës, 54-vjeçarja ruse është duke apeluar një urdhër dëbimi pasi u deklarua si kërcënim në sigurinë nacionale të Serbisë dhe iu hoq edhe leja e qëndrimit. Përkthyesja e letërsisë ka thënë se arsyeja e vetme që mendon ta ketë shkaktuar këtë, është nënshkrimi i peticionit kundër luftës.
“Nuk jam aktiviste, por nënshkrova një peticion kundër luftës kur filloi agresioni i Rusisë në Ukrainë”, ka thënë në një intervistë. “Edhe pse nuk jam aktiviste, nuk mund të rrija e heshtur. Kështu, vendosa emrin tim në letrën e hapur ku thuhej se lufta ishte krim dhe se ne duhet të bashkohemi që ta ndalojmë”.
Koposova nuk është e vetmja. Serbia ka hapur kufijtë viteve të fundit për mijëra rusë që largohen nga qeveria e presidentit Vladimir Putin dhe nga lufta në Ukrainë. Aktivistët pro demokratikë rusë në Serbi tani thonë se një duzinë e tyre u ballafaqua me ndalesë të hyrjes ose u janë hequr lejet e qëndrimit me arsyetimin se paraqesin kërcënim për sigurinë e Serbisë.
Të paktën tetë të tjerë janë të frikësuar për të folur publikisht për problemet ligjore që kanë me autoritetet serbe, të frikësuar se mund t’ua prishë shansin për të qëndruar në vend se bashku me familjen e tyre, kanë thënë aktivistët rusë që janë kundër luftës.
“Ndodhi shpejt, ishte shumë shokuese”, ka thënë Koposova për momentin kur mori urdhër dëbimin, i cili shpjegoi shumë pak për situatën, vetëm deklaronte se ajo paraqiste “kërcënim për sigurinë nacionale” dhe se duhet të largohet nga vendi brenda 30 ditëve.
Ajo dhe burri i saj kanë ndërtuar një shtëpi moderne në një copë toke në fshat, jashtë Beogradit, ku jetojnë me dy fëmijët e tyre, të moshave 6 dhe 14, të cilët shkojnë në shkollën lokale.
Aktivistët e të drejtave kanë thënë se problemet e qëndrimit tregojnë për një marrëveshje mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Putinit, pavarësisht ofertës së Serbisë ndaj BE-së. Vuçiqi ka refuzuar vendosë sanksione kundër aleatit tradicional sllav duke i lejuar mjetet propaganduese të Moskës si RT dhe Sputniku të shpërndajnë narrativën në tërë Ballkanin.
“Autoritetet në Beograd dhe në Moskë janë të afërta politikisht”, ka thënë Predrag Petroviq, koordinator i kërkimit në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë.
“Njerëzit që kritikojnë regjimin e Putinit paraqesin kërcënim të madh për regjimin e Moskës”, ka thënë Petroviçi. “Për këtë arsye këta njerëz janë shënjestruar nga autoritetet serbe”.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë para dy vjetësh, shumë rusë kanë ardhur në Serbi sepse nuk u nevojiten vizat për të hyrë në këtë vend. Shumë prej tyre po i shmangeshin rekrutimit, kurse të tjerët, si familja Koposova, të ardhur më herët thjesht ishin të lodhur nga qeveria e Putinit dhe kërkuan një jetë më të mirë jashtë Rusisë.
Peter Nikitin, një nga themeluesit e Shoqërisë Demokratike Ruse (RDS), kaloi dy ditë në aeroportin e Beogradit verën e kaluar kur iu hoq leja e qëndrimit, edhe pse ka grua serbe dhe ka jetuar në Serbi për shtatë vjet. Nikitinit iu lejua të hynte në vend, por procedurat ligjore sa i përket letrave të qëndrimit janë në pritje.
“Nuk kam dyshim që kjo është bërë në bazë të urdhrave nga Rusia, ose përmes ambasadës ose drejtpërdrejt nga Moska”, ka insistuar Nikitini, grupi i të cilëve ka organizuar protesta kundër luftës në Ukrainë dhe demonstrata për lirimin e të burgosurve politikë, përfshirë edhe Alexei Navalnyn, lider i opozitës ruse.
Nikitini ka thënë se ndër aktivistët e tjerë kundër luftës që janë përballur me shqyrtime nga autoritetet serbe, është edhe bashkëthemeluesi i grupit RDS, Vladimir Volokhonsky, i cili tashmë jeton në Gjermani.
Nën sanksione ishin edhe Yevgeny Irzhansky, që organizoi koncerte me banda anti-Putin në Serbi dhe tashmë jeton në Australi me gruan e tij, dhe Ilya Zernovi, një rus i ri të cilit iu ndalua rikthimi në Serbi pasi u sulmua nga një nacionalist serb, kur u përpoq të fshinte nga muri një vizatim që thërret për vdekje të Ukrainës në Beograd.
Nikitini thotë se qëllimi i këtyre masave ishte të frikësojë aktivistët që janë kundër luftës.
“I vetmi shpjegim është se duan t’i frikësojnë të gjithë”, ka thënë ai. “Sepse nëse nuk mund të nënshkruash një letër kundër luftës, atëherë nuk mund të bësh asgjë”.
“Puna është se rusët që janë kundër luftës nuk janë duke protestuar këtu kundër askujt në Serbi”, ka thënë Nikitini. “Ne vetëm jemi të shqetësuar për vendin tonë dhe për vendin fqinj, i cili po vuan nga vendi ynë tani”.
Serbia dhe Rusia mbajnë gjithashtu lidhje të ngushta mes shërbimeve të sigurisë.
Ish-shefi i sigurisë së shtetit serb Aleksandar Vulin, i cili u sanksionua nga SHBA-ja për ndihmat e bëra rreth ndikimit rus në Ballkan, kohëve të fundit ka marrë dekoratë nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë për bashkëpunimin e ngushtë mes dy agjencive të spiunazhit. Vulini thuhet se ishte i përfshirë në përgjimin e aktivistëve të shquar të opozitës ruse që u takuan në Beograd në prag të luftës në Ukrainë dhe që më vonë u burgosën në Rusi.
Për Koposovën, vendimi i autoriteteve serbe për ta dëbuar nga vendi, do të thotë se ajo dhe familja e saj mund të humbasin gjithçka nëse ankesa e saj refuzohet.
Familja nuk mund të kthehet në Rusi sepse kanë shitur pronat e tyre, e tani cilësohen si anti-Putin dhe burri i saj mund të rekrutohet në ushtri për të luftuar kundër Ukrainës, ka thënë Koposova.
“Kjo shtëpi është e vetmja që kemi, e vetmja shtëpi që kanë fëmijët tanë”, ka thënë ajo, e përlotur.
Rruga Press