Konjufca pret në takim amabasadorin e ri zviceran, diskutojnë për vazhdimin e bashkëpunimit
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, i cili shoqërohej nga zëvendësambasadori Christoph Fuchs.
Në takim, veç të tjerave, u bisedua për marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe dhe mundësitë e avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se kryetari Konjufca uroi ambasadorin Sprecher për detyrën dhe i dëshiroi mirëseardhje.
Njëherësh i shprehu mirënjohje për kontributin e shquar dhe mbështetjen e gjithanshme të Zvicrës mike ndaj Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit, zhvillimit, integrimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, si dhe nënvizoi rëndësinë që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ambasadori Sprecher e falënderoi Kryetarin e Kuvendit për pritjen dhe po ashtu vlerësoi partneritetin dhe raportet e ngushta dypalëshe.
Kryetari Konjufca dhe ambasadori Sprecher ritheksuan gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në fusha të ndryshme bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.
Rruga Press