Avokati serb: Vuçiqi po e mbron Radoiçiqin dhe dërgon mesazhe për prokurorin dhe ndërkombëtarët
Mediat serbe shkruajnë se përderisa Perëndimi pret që Prishtina të mos kryejë veprime të njëanshme, sikurse ai në lidhje me përdorimin e dinarit, nga Beogradi pritet të ndjekë penalisht përgjegjësit për sulmin e armatosur në Banjskë, shtatorin e vitit të kaluar. Përderisa presidenti serb Vuçiqi thotë se çdo ditë përballet me këto presione, analistët mendojnë se është në interes të Serbisë që të ndriçohet ky rast.
Ndërkohë në rrjetet sociale po qarkullon një video nga festimi i gjoja ditëlindjes së Milan Radoiçiqit, që ka ndodhur në Kopaonik.
Siç shkruan “N1” Radoiçiqi është i lirë pasi nuk dihen ende rezultatet e hetimeve ndaj tij. Deri tani dihet se pas sulmit të armatosur në Banjskë ai është ndaluar [në Serbi] për më pak se 24 orë, si dhe dyshohet për veprën penale të komplotit, si dhe për prodhim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse dhe krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.
“Dhe për çfarë vepre penale të themi? Ndoshta ata do të akuzojnë për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm. E si mund të ndjekin për ndonjë vepër tjetër penale kur këta persona do të dalin dhe do të thonë ‘epo ne e bëmë punën tonë”, ka deklaruar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Dhe ndërsa presidenti relativizon me sukses – nga vendet perëndimore kanë ardhur mesazhe me një ritëm të pandërprerë prej muajsh që përgjegjësit për Banjskën duhet të ndiqen penalisht.
“Ne shohim që presidenti ka ndërhyrë hapur në çështje, edhe pse nuk mund të ketë kontakt me shkresat e lëndës, ai në transmetuesin publik ka kryer edhe kualifikimin e veprës penale. Kjo nuk bëhet. Sidomos nuk bëhet nga pozita e presidentit të republikës”, thotë avokati serb Ivan Niniq.
“Është detyrë e çdo shteti përgjegjës të ndjekë penalisht çdo element paraushtarak që shkel Kushtetutën dhe demonstron forcë të armatosur. Prandaj, Serbia duhet ta bëjë vetë si një vend përgjegjës”, thotë Tatjana Lazarevi, redaktore e portalit KoSSev.
Ndërsa rezultatet e prokurorisë serbe po priten prej muajsh. Ndërkohë në emër të shtetit dhe raportit me ngjarjet në Banjskë flet presidenti, i cili, sipas avokatit Niniq, me deklaratat e tij të fundit po dërgon mesazhe në tri adresa.
“Së pari t’i dërgojmë mesazh Radoiçiqit se është i mbrojtur, se është në duar të sigurta. Më pas t’i dërgojë mesazh prokurorit se çfarë kualifikimi të veprës pret në aktakuzë. Dhe mesazhi i tretë është për komunitetin ndërkombëtar”, tha Niniq.
Mediat kanë raportuar se INTERPOL-i ka konfirmuar se për Radoiçiqin është lëshuar një fletarrestim i kuq. Janë zbuluar edhe emrat e 10 pjesëmarrësve të dyshuar në sulmin e armatosur në Banjskë.
Rruga Press