Në Kosovë mbahet takimi i parë i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime
Është mbajtur sot takimi i parë i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, ku ka marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, si dhe përfaqësues nga institucione publike e private, vendore dhe ndërkombëtare.
“Duke folur për synimet e Qeverisë së Kosovës për rritje ekonomike dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, theksoi përkushtimin për të ndërtuar një platformë të fortë për dialogun publiko-privat, që mundëson identifikimin e mundësive dhe adresimin efikas të sfidave, përmes së cilës edhe është arritur zhvillimi i një plani vjetor ambicioz për vitin 2024, mbështetur nga Sekretariati i pavarur i Këshillit, i financuar nga SECO-ja zvicerane dhe i menaxhuar nga BERZh-i në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, gjatë takimit theksoi se vitin e kaluar kemi përgatitur e tanimë miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës, Ligjin për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë, i cili do ta bëjë edhe më atraktiv vendosjen e sistemeve solare nga konsumatorët dhe nga kjo do të përfitojnë qytetarët, bizneset dhe ambienti, ku investime të tilla janë të shumëfishta, duke filluar nga rritja e efiçiencës së energjisë, ulja e ndotjes si dhe ulja e faturave të energjisë.
Zv.ministri Mjeku po ashtu shtoi se do të jetësohen projektet infrastrukturore që përfshijnë 950 MW kapacitete gjeneruese dhe magazinuese të energjisë me vlerë 1.2 miliard euro në afat të mesëm.
Rruga Press