KryesoreLajme

Krerët e shtetit urojnë 16-vjetorin e Pavarësisë

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë uruar 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ndërsa vlerësuan përpjekjet rezistente për një Kosovë të pavarur, Osmani e Kurti janë falënderues edhe ndaj aleatëve ndërkombëtarë “që ndihmuan në ndërtimin e shtëpisë sonë të përbashkët – Republikë e Kosovës”.

“Të duam Kosovë. Të lirë, të pavarur, sovrane e me aleatë. Urime ditëlindjen e 16-të”, ka shkruar Osmani në Facebook, teksa ka paraqitur një foto në të cilën në sfond duket edhe ish-presidenti Ibrahim Rugova.

“Sot shënojmë të arriturën më të madhe historike të popullit tonë. Këto 16 vjet të shtetit tonë, Kosova ka bërë hap të rëndësishëm përpara. Dua t’i uroj të gjithë qytetarët që kanë dhënë kontribut të çmueshëm për këtë ditë, vizionin e arkitektit të Pavarësisë, Ibrahim Rugovës, trimërinë e familjes Jashari dhe të gjithë ushtarëve të UÇK-së. Lavdi për ata që dhanë jetën për shtetin që gëzojmë”, ka thënë Osmani gjatë ngritjes së flamurit.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti merr pjesë në përurimin e bibliotekës e re në Komunën e Shtimes

Ndërkohë, Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se përvjetor të tillë ofrojnë raste për reflektime retrospektive.

“Kosova feston sot përvjetorin e 16-të. Sivjet shënojmë edhe dy përvjetor. 26-vjetorin e eposesë së UÇK-së dhe 25-vjetorin e çlirimit tonë nga okupimi i Serbisë. Përvjetor të këtillë ofrojnë raste të përshtatshme për reflektime retrospektive, që rëndom mund të mos kemi kohë t’i bëjmë gjatë ditëve të tjera të vitit, kur jemi të zënë me urgjencat e përditshme që duhet të ballafaqohemi. Nga kemi ardhur, ku jemi dhe nga po shkojmë? Këto janë pyetjet që i shtrojmë secili. Përgjigjet tona nuk do të thotë se duhet të pajtohen me njëra-tjetrën. Vijmë nga një betejë çlirimtare me karakter anti-kolonial që rrënjët i ka te Rilindja Kombëtare Shqiptare. Prejardhja e Republikës sonë është te lufta çlirimtare dhe lëvizjes rezistente shekullore. Kosova ka shembullin e ngrohtësisë njerëzore, dhe për këtë ajo e nderon trashëgimin e Rilindjes Kombëtare. Ne i mbijetuam gjenocidit të fundshekullit 20. Pas luftës, rindërtuam shtëpitë tona. Me ndihmën e aleatëve ndërkombëtarë, ndërtuam shtëpinë tonë të përbashkët – Republikën e Kosovës. Një Republikë të mirëfilltë, barazi për qytetarët dhe kontribuuese për paqe. Një shtet që vlerat demokratike, të drejtat e njeriut dhe pakicave dhe drejtësinë sociale i ka në thelb në çdo kursi politik e shoqëror. Një çerekshekulli pas luftës, Republika jonë qëndron e fortë përkundër sfidave. Ashtu si ditën kur u shpall, ashtu edhe sot dhe çdo ditë më tej, Republika e Kosovës do të jetë shtëpi për të gjithë qytetarët pa dallim. Vizioni ynë është i qartë, ne rreshtohemi krah shteteve demokratike paqësore që mishërojnë lirinë, unitetin dhe solidaritetin”, ka thënë ndër të tjera Kurti.

Lexo më shumë  Në Kosovë promovohet pulla postare kundër dhunës gjinore “Sot dhe çdo ditë tjetër”

Ai ka paralajmëruar ministrat e kabinetit të tij se “sot është ditë feste, por çdo ditë tjetër duhet të punojmë për idealet dhe synimet e përbashkëta”.

Urime ka pasur edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili ka falënderuar ushtarët që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, “veprimtarët politikë e miqtë ndërkombëtarët që dhanë gjithçka për Pavarësinë e Kosovë”.

YouTube player