Bota

Ukraina: Rusia ka përdorur Zirkonin për herë të parë në luftime

Ukraina ka prova që Rusia ka lëshuar një raketë të avancuar hipersonike, për të cilën ekspertët thonë se është pothuajse e pamundur të rrëzohet.

Raketa është përdorur për herë të parë në luftën pothuajse 2-vjeçare.

Instituti i Kërkimeve Shkencore të Ekspertizës Ligjore të Kievit, ka thënë në një postim në Telegram, se mbeturinat e gjetura pas një sulmi të 7 shkurtit në kryeqytetin ukrainas, treguan përdorimin e një rakete lundrimi hipersonike Zirkon nga ushtria ruse, raportoi CNN-i.

“Shenjat në pjesët dhe fragmentet, identifikimi i komponentëve dhe pjesëve, dhe tiparet e llojit përkatës të armës tregojnë për përdorimin e parë të Zirkonit në luftime”, ka thënë Instituti, i cili është pjesë e Ministrisë së Drejtësisë së Ukrainës.

Lexo më shumë  Ndihma norvegjeze për Ukrainën do të arrijë në 2.7 miliardë dollarë në 2025

Postimi në Telegram u shoqërua me një video që tregonte dhjetëra pjesë të mbeturinave që besohet se janë nga raketa e re.

Autoritetet ukrainase raportuan se katër persona u vranë dhe 38 të tjerë u plagosën në Kiev gjatë sulmeve të 7 shkurtit, por asnjë viktimë nuk i është atribuar drejtpërdrejt raketës së supozuar Zirkon.

Nuk u përmend gjithashtu platforma e lëshimit të raketës, megjithëse raportet e mëparshme në mediat shtetërore ruse thonë se ajo ishte vendosur në një anije luftarake.

Lexo më shumë  Ukraina: Rusia ka dërguar numër rekord dronësh për të na sulmuar gjatë natës

Ekspertët thonë se Zirkoni, nëse është në përputhje me atë që thotë qeveria ruse për të, është një armë e frikshme.

Shpejtësia e tij hipersonike e bën atë të paprekshëm edhe ndaj mbrojtjeve më të mira të raketave perëndimore, si Patriot, sipas Aleancës për Mbrojtjen e Raketave me bazë në Shtetet e Bashkuara (MDAA).

Aleanca thotë se shpejtësia e saj është vendosur në 9,900 kilometra në orë.

Rruga Press

YouTube player