Pse po dridhet Putini? Pamjet nga intervista e fundit tregojnë se diçka nuk është në rregull me shëndetin e tij
Lajmet për shëndetin e rënduar të presidentit rus, Vladimir Putinit u ndezën më tej kur u pa se ai duhej të kontrollonte këmbën gjatë një interviste me gazetarin amerikan, Tucker Carlson.
Gjegjësisht, në intervistën dy-orëshe, Putinit iu desh të përdorte dorën për të qetësuar këmbën që i dridhej në mënyrë të pakontrolluar. Disa kritikë kanë vënë në pikëpyetje shëndetin e 71-vjeçarit në veçanti pasi ai u fotografua duke u grimosur gjatë një takimi me presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko, më 28 janar.
Dridhjet e këmbëve u vunë re edhe në muajin shtator, kur presidenti rus pati një takim me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un.
Videot treguan Putinin duke ngritur dhe ulur në mënyrë të përsëritur këmbën e majtë – një lëvizje që ai e përsëriti disa herë gjatë intervistës me Carlsonin.
Kremlini ka mohuar vazhdimisht zërat se Putini ka probleme serioze shëndetësore, si sulm në zemër ose kancer. Në muajin tetor, kanali Telegram “General SVR”, i cili pretendon rregullisht se Putini vuan nga kanceri, deklaroi se kishte pësuar një atak në zemër.
Kanali njoftoi se në të gjitha paraqitjet e fundit të udhëheqësit rus, përfshirë vizitat e huaja, në fakt nuk ishte Putini, por dublanti i tij.
Spekulimet se ai po përdorte një person që i përngjan u shfaqën në muajin qershor kur Putini bëri një vizitë të papritur në qytetin jugor rus të Derbent, vetëm disa ditë pas kryengritjes së dështuar të Wagnerit.
Pas pushtimit rus të Ukrainës, në vitin 2022, u zbuluan dokumente sekrete që pretendonin se Putini kishte faza të hershme të sëmundjes së Parkinsonit dhe kancerit të pankreasit.
Rruga Press