KryesoreLajme

Një ditë në veri të Kosovës, Elshani: Autoriteti ynë në veri më i pranishëm se kurrë

Policia e Kosovës tashmë e ka shtrirë autoritetin e saj në veri të Kosovës më shumë se asnjëherë më parë si dhe janë të gatshëm t’i përgjigjen çfarëdo situate që mund të ndodh atje.

Kështu tha në një intervistë për Telegrafin zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani.

Gjatë intervistës, Elshani vlerëson se situata e sigurisë në veri të vendit është e qetë, por delikate.

Duke folur për masat e ndërmarra nga nëntori 2022, ai ka përmendur disa aksione si largimi i sirenave të alarmit, konfiskime dhe sekuestrime të armëve si dhe arrestime.

Elshani ka theksuar gatishmërinë e Policisë së Kosovës për të reaguar në rast të informacioneve për aktivitete kriminale.

I pyetur se si reagojnë qytetarët karshi Policisë në veri, ai pohoi se nuk ka probleme të theksuara me qytetarët e zonës, por problemet kryesore janë me shtetin e Serbisë dhe institucionet paralele.

“Po, reagimi i qytetarëve është i mirë. Nuk kemi ndonjë problem me qytetarët. Ne problemin këtu nuk e kemi as me persona me të kaluar kriminale, as me grupe kriminale. Problemin më shumë e kemi me Serbinë edhe me institucionet paralele, të cilat funksionojnë këtu”, sqaroi Elshani.

Elshani tha se si Policia e Kosovës ka ndikuar shumë që grupet kriminale mos të kenë shtrirje të aktivitetit të tyre.

“Grupet kriminale fuqinë e kanë tek paret, te të hollat, te financat. E kështu që tash jemi të shtrirë në veri më shumë se asnjëherë. Kështu që grupet kriminale dhe njerëzit më të kaluar kriminale ekzistojnë mirëpo, fuqia e tyre është shumë e vogël”, tha ai.

Por a ka rrezik në veri të Kosovës për një Banjskë të dytë, Elshani theksoi: “Në fakt, nuk kemi raste kur nuk na i respektojnë urdhrat, sepse ne e kemi ligjin në bazë të cilit edhe veprojmë. Kemi kalu shumë një periudhë interesante… Kështu që jemi në çdo cep të veriut të Kosovës. Kemi policë të rendit mjaftueshëm. Po mendoj ka mundësi me pas pak më shumë policë të rendit, me përbërje të komunitetit që janë këtu, mirëpo kemi edhe Policinë Kufitare, Njësitë Speciale atëherë kur kemi nevojë për to. Kështu që ne jemi në numër mjaftueshëm në rast se paraqitet ndonjë problem, me u përballë me to.

Ne kemi parapa që do të ketë probleme. Kemi parapa që do të ketë konfrontim me armë. Kemi parapa që mund të sulmohen patrullat policore dhe policë në përgjithësi. Po nuk e kemi parapa një Banjskë të asaj përmase. Kështu që tash, në bazë të asaj çka kemi pa dhe në bazë të përvojës që e kemi nuk na çuditë nëse ndodh një rast i tillë. Pa marrë parasysh për neve me rëndësi është se si i përgjigjemi situatave të tilla. Kështu që ne jemi të përgatitur që t’i përgjigjemi çfarëdo situate në veri të vendit”.

Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për veriun e Mitrovicës /Foto: Ridvan Slivova/

Por a ka marr urdhër Policia e Kosovës në veri sa i përket Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për Operacionet me paratë e gatshme, me të cilën përjashtohet nga qarkullimi dinari serb, Elshani sqaroi: “Jo nuk kemi ndonjë urdhër se si të veprojmë në raste të tilla. Sidoqoftë në raste se ne do të hasnim për shembull në ndonjë veturë e cila kalon nëpër pikat policore, pikat statike që ne i kemi, ose policia has në to, edhe ne me siguri që i ndalojmë dhe i verifikojmë me doganë sikur raste edhe më herët, para se të hyjë në fuqi kjo Rregullorja e BQK-së dhe u kontaktojmë Doganën, mandej varet nga Dogana se a e merr rastin Dogana apo ne me prokuror apo si të tillë. Deri tani nuk kemi pasërast të tillë”.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

Në fund, Elshani ka sugjeruar nevojën për shtrirje më të madhe të autoritetit të institucioneve të tjera të Kosovës në veri, të tilla si regjistrimi i bizneseve dhe prezencë më e madhe e administratës tatimore, për të konsoliduar përpjekjet e shtetit në zbatimin e legjislacionit dhe rritjen e pranisë shtetërore.

“Policia e Kosovës, ose në fakt flas për përvojën time që kam qenë nga nëntori i vitit 2022 e deri më tani, policia është e shtrirë në gjithë territorin e vendit duke përfshi edhe veriun. Sidoqoftë ne do të kishim rekomandu që institucionet e tjera për shembull ARBK-ja, AKP-ja, biznese të ndryshme, regjistrimi i bizneseve, komunat të shtinë më shumë autoritetin e tyre në veri të vendit me rregullore udhëzime administrative të ndryshme, të cilat ata mund t’i nxjerrin”, ka thënë ndër të tjera Elshani për Telegrafin.

YouTube player