KryesoreLajme

Kurti në OKB: Serbia ajo që ka kryer gjenocidin e fundit të shekullit të shkuar dhe vazhdon të veprojë ende edhe tash njësoj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kundërshtuar çdo pretendim të presidentit të Serbisë, se Kosova kryen spastrim ndaj serbëve të Kosovës. Të gjitha i ka quajtur gënjeshtra. Në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Kurti ka thënë se është Serbia ajo që ka kryer gjenocidin e fundit të shekullit të shkuar e se vazhdon të veprojë ende edhe tash njësoj. Në fund të fjalimit, ai ka kërkuar sërish nga Serbia, që në fund të mbledhjes të nënshkruajnë Marrëveshjen e Brukselit.

“Me krenari themi që e zbatojmë Kushtetutën me masat më të larta të mbrojtjes së të drejtave të pakicave, 20 ulëse të garantuara në parlament nga 120 në total, prej të cilave 10 janë të serbëve veçanërisht. Serbët në Kosovë kanë po ashtu 10 nga 38 komunat në Kosovë. Gjuha serbe është gjithkund gjuhë zyrtare. Ideja që Kosova po kryen spastrim etnik apo persekutim ndaj komunitet serb është thjesht gënjeshtër që është demantuar nga shumë organizata ndërkombëtare”, ka thënë Kurti teksa ka kthyer vëmendjen kah trajtimi që Serbia ua bën shqiptarëve në Luginë. “Fushata e spastrimit etnik bëhet në mënyrë administrative… Qeveria serbe sistematikisht i ka hequr mbi 4 mijë e 200 shqiptarë etnikë nga regjistri civil në Medvegjë dhe mbi 2 mijë në Bujanoc. Kjo shlyerje e njerëzve ka pasoja të prekshme, viktimat nuk kanë qasje më në letërnjoftime, pasaporta, shërbime mjekësore, ndihmë sociale, transaksione pronësore, pensione dhe të drejta votimi, pra i bën ata të jenë pa shtet. Kjo fushatë është metodë e shpopullimit të shqiptarëve atje”.

Lexo më shumë  Komandanti i KFOR-it dhe ambasadori turk diskutojnë për sigurinë në Kosovë

Sa i përket Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për euron, Kurti ka thënë se ajo s’e pengon Serbinë t’u ofrojë ndihma financiare serbëve. “Gjithçka tjetër është propagandë e rrejshme dhe nxitje e tensioneve. Rregullorja sjell ligjshmëri të importit të parave në Kosovë në përputhje me kushtetutën dhe politikën monetare të BE-së. Beogradi ka thirrur alarm jo për shkak të këmbimit të dinarit në euro, por për shkak se po ndalohen thasë me dinarë në kufij dhe ata ankohen jo për shkak të brengës për qytetarët serbë të Kosovës, por sepse ato tubacione të parave në veri të Kosovës po ndalen”, ka shtuar ai.

Kurti ia ka përmendur Vuçiqit edhe sulmin e shtatorit në Banjskë. Ai ka thënë se Serbia pati shpallur ditë zie, ndërsa ka akuzuar direkt Vuçiqin për financim e mbështetje të sulmit terrorist.

“Një rast i qartë ndodhi më 24 shtator të vitit të kaluar. Rreth 80 paramilitarë të mbështetur nga Serbia filluan një sulm të paprovokuar ndaj patrullës policore në Kosovë duke rezultuar me vdekjen e policit Afrim Bunjaku dhe lëndimin e dy të tjerëve. Përkundër përpjekjes terroriste duke përdorur edhe pelegrinët e pafajshëm si mburoja, Policia jonë i ka shmangur këto viktima. Më 27 shtator Serbia shpalli ditë zie për terroristët e vrarë nga Policia e Kosovës dhe nga operacioni anti-terrorist. E vërejtët që sot, z. Vuçiq po rikujtonte disa serbë që janë lënduar apo plagosur në incidente të ndryshme, por nuk i përmendi tre serbët e vrarë, pse nuk i përmendi këta? Sepse e di që ata kanë qenë terroristë të financuar, mbështetur dhe orkestruar nga ai vetë dhe mu për këtë tre serbët e vrarë nuk u përmendën fare”, ka thënë kryeministri Kurti.

Lexo më shumë  BE: Projektligji i Qeverisë së Serbisë për përndjekjet në Kosovë, paraqet shkelje të qartë të detyrimeve në kuadër të Dialogut

Kurti ka thënë po ashtu se nuk është befasi që Serbia nxit probleme nga veprimet e ligjshme të Kosovës. Ai ka kujtuar se Serbia udhëhiqet nga fytyra të larta të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq.

Në fund ai ka folur edhe për mosnënshkrimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit nga ana e Serbisë. Ka akuzuar Serbinë se nuk po i respekton pikat për të cilat janë dakorduar.

“Serbia refuzon dy obligime kyçe, që të mos pengojë anëtarësimin ndërkombëtar të Kosovës dhe të mos respektojë integritetin territorial. Nënshkrimi i marrëveshjes nuk është vetëm formalitet është edhe garanci për implementimin e saj të plotë dhe të pakusht, edhe për paqen dhe sigurinë në Ballkan. Përkundër ofertave të mia të përsëritura, z.Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë, e ftoj të nënshkruajë këtu sot, menjëherë, duke theksuar rolin krucial të kartës së OKB-së në këtë marrëdhënie. Ky akt simbolik do të demonstronte përkushtimin e tij për marrëdhënie paqësore me Kosovën”, ka thënë Kurti.

Rruga Press

YouTube player