Sport

Arsyeja pse Majlinda Kelmendi u tërhoq nga sporti i xhudos

Pas dy titujve kampion bote një vendi të tretë, katër titujve kontinentalë e një medalje të bronxtë edhe në Europë, shumë triumfeve në Grand Slam e Grand Prix, një Masters e mbi të gjitha medaljes së artë olimpike në Rio 2016, Majlinda Kelmendi thotë mjaft.

Xhudistja shqiptare i ka dhënë fund karrierës në sportin e xhudos, duke e konfirmuar në një deklaratë për KTV-në. “Unë ndoshta këtë vit kam qenë në dyshime a të largohem apo të vazhdoj, për shkak të lëndimeve. Por në momentin e fundit kam vendosur për hatër të Tonit të vazhdoj, të garoj në Lojëra Olimpike. Fatkeqësisht nuk shkoi si duhet, nuk është se nuk isha në formë, por nuk ishte dita ime. Për mua kjo ka qenë gara e fundit, nuk e kam pritur që gara e fundit në karrierë do të shkojë kështu. Ishte e shkruar, krejt i kam fituar. I kam sjellë Kosovës mjaft emocione, mjaft lot është radha e tjerëve. Do të jem afër Tonit me u mundu me nxjerrë talente tjera prej Kosovës”, ka thënë Kelmendi.

30-vjeçarja që ka garuar në tri Olimpiada, ndërsa në “Rio 2016” i dhuroi Kosovës medaljen e parë të artë olimpike, tani duhet të gëzohet me triumfet olimpike të Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës, edhe ato medaljere të arta në Tokio: “Po ndjehem jashtëzakonisht mirë. Jam shumë e lumtur. Për Disin e kemi prit, duke e marrë parasysh formën gjatë vitit. Nuk jemi befasuar. Nora jo që nuk mundet, por nganjëherë është njeri që kalkulon shumë. Jam shumë e lumtur që puna e sakrifica e Tonit po shpërblehet në këtë mënyrë”, përfundoi Kelmendi.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *