Bota

Alaska: Një pasuri ushtarake strategjike kundër Kinës dhe Rusisë

Alaska është skaji më verior i Shteteve të Bashkuara dhe është një territor i madh që ka gjithashtu një prani të madhe ushtarake.

Mes instalimeve ushtarake në Alaskë, ka shumë hapësirë të natyrës të egër. Arinjtë janë kudo, dhe moti është gjithashtu i ashpër. Në dimër temperatura mund të zbresë në rreth minus 45 gradë Celsius.

Por pse Shtetet e Bashkuara kanë vëndosur kaq shumë trupa dhe arsenal mbrojtjeje në një mjedis kaq të ashpër? Përgjigja, sipas Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin, është gjeografia.

“Jemi një vend Indo-Paqësor dhe jemi gjithashtu një vend Arktik. Në Alaskë kryqëzohen këto dy rajone kritike”, tha ai.

Alaska kufizohet nga Oqeani Paqësor dhe Oqeani Arktik. Baza e Forcave Ajrore Eielson, në zemër të Alaskës, është rreth 160 kilometra nga rrethi Arktik. Aty, thotë Sekretari Austin, Shtetet e Bashkuara kanë forcuar mbrojtjen dhe kanë zgjeruar stërvitjet ushtarake në një përpjekje për të rritur avantazhin e tyre konkurrues ndaj kundërshtarëve të afërt, Rusisë dhe Kinës.

Lexo më shumë  OKB voton sot draftrezolutën për t’u dhënë palestinezëve të drejta më të mëdha përfaqësimi

“Keni parë që po rrisim aftësitë tona këtu së fundmi me shtimin e avionëve F-35, dhe jemi në proces të zgjerimit të aftësive për të mbështetur atë përpjekje,” tha ai.

Kjo është veçanërisht e dobishme pasi avionët luftarakë të gjeneratës së pestë F-35 të vendosur në bazën Eielson mund të arrijnë kudo në hemisferën veriore. Me këta avionë luftarakë fluturon mbi Paqësorin verior dhe je në Azi. Dëshiron të jesh në Evropë? Është shumë e kollajshme për avionin F-35 të fluturojë përmes Arktikut.

Nëse duhet që trupat të praktikojnë aftësitë ushtarake në vend, aty ndodhet një poligon trajnimi me sipërfaqe 200,000 kilometra katrorë.

“Nëse nuk ke shërbyer këtu është e vështirë ta kuptosh plotësisht se sa i rëndësishëm është strategjikisht ky shtet”, thotë senatori i Alaskës Dan Sullivan, i cili është anëtar i Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura.

Ai thotë se Pentagoni ka të drejtë të përqendrohet tek konkurrentët e nivelit të lartë, por ai është i shqetësuar se Shtetet e Bashkuara mund të mos jenë duke bërë sa duhet.

Lexo më shumë  Kroacia nuk do përfshijë serbët në qeverisje

“Kina ka rritur shpenzimet e saj të mbrojtjes me 10% në vit, apo jo? Ata do të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Ne, siç e dini, gjatë mandatit të dytë të administratës Obama, ulëm shpenzimet e mbrojtjes me 25%. Trumpi i shtoi. Por ato po shkurtohen përsëri. Kështu që, jam absolutisht i shqetësuar, dhe po kështu janë edhe shumica e anëtarëve të Komisionit të Forcave të Armatosura, nuk ka rëndësi nga cila parti”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Senatori Sullivan tha se ai dëshiron të shohë që buxheti i mbrojtjes të rritet nga 3 deri në 5% në vit për të ecur me ritmin e investimeve ushtarake që bën Kina. Ai mori si shembull bazat e shpërndara në shtetin më të skajshëm kufitar të Amerikës si dëshmi të asaj se sa domethënës janë dollarët e shpenzuar për mbrojtjen, shumë larg Uashingtonit./VOA

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *