Bislimi konteston rolin e Gjykatës Kushtetuese: Po sillet si qeveri, le të dalë e të kërkojë vota
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, sot gjatë raportimit në Komisionin për Administratë Publike e Kosovës ka kontestuar rolin e Gjykatës Kushtetuese, duke propozuar që gjykatësit të garojnë në zgjedhje nëse duan të vendosin për çështje që sipas tij i takojnë Qeverisë.
Numri dy i Qeverisë i bëri komentet në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, i cili sot shqyrtoi në parim Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Medieve (KPM). Ai reagoi pasi deputetët e opozitës paralajmëruan se do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese nëse ky ligj miratohet me nenet që synojnë të vendosin kontroll mbi mediet e pavarura.
Bislimi tha se subjektet politike garojnë në zgjedhje me programe të ndryshme dhe nëse i fitojnë zgjedhjet pastaj i implementojnë ose i shtyjnë ato.
“Me thanë që për mua ligji është ligj vetëm kur të thotë Gjykata Kushtetuese, është me pretendu që qeveria e vërtetë është Gjykata Kushtetuese e jo Qeveria e vendit”, deklaroi Bislimi, raporton EO.
Ai ka marrë një shembull banal për ta përforcuar qëndrimin e tij. “Nesër do të përfundoni duke thënë se unë do të vijë në punë në orën 8:00, se Gjykata Kushtetuese më ka thënë se duhet të shkohet në punë në ora 8:00”, u shpreh zëvendësi i Kurtit.
Sipas tij, Gjykata nuk mund të vendos për gjithçka.
“Janë role të ndara. S’është qeveri paralele… Nuk bën me vesh Kushtetuesen me kompetenca të cilat nuk i takojnë. Sot Kushtetuesja po e vendos edhe sa duhet me qenë koeficienti. Nesër thotë jo edhe buxheti duhet me kanë kaq. S’mundet Kushtetuesja me vendos sa është paga e zv.kryeministrit”, ka vazhduar Bislimi.
“Duhet me u ba qeveri njëherë, me dalë me kërku vota njëherë si Gjykatë Kushtetuese, tani me thanë unë e vendosi pagën e deputeti, e unë vendosi a ka me i pasë KPM-ja 7 apo 11 anëtarë. Qeveria vendos. Kuvendi e voton ose e ndryshon përmes procedurave interne”, shtoi Bislimi.
Kjo nuk është hera e parë që numri dy i Qeverisë Kurti bën deklarime publike, duke e kontestuar rolin kushtetues dhe kredibilitetin e anëtarëve të institucionit më të lartë juridik në Republikën e Kosovës, që kujdeset për mirëmbajtjen e parimeve dhe rendit kushtetues.
Para pak kohësh, në një intervistë për një medium serb me seli në Kosovë, Bislimi e cilësoi GjK-në një vend “ku prodhohen vendime kontroverse”.
“Këtë e shohim në baza ditore sepse besojmë që atyre u mungon kompetenca dhe kredibiliteti. Dhe ky s’është i vetmi vendim i kushtetues që s’ka mundur të gjejë zbatim”, kishte deklaruar Bislimi për Radio Gorazhdevcin.
Rruga Press