Nuk pranohet rekursi i Dritan Goxhaj/ Vendimi i Gjykatës së Tiranës për ish-ushtarin e UÇK-së
Gjykata e Lartë vendosi mospranimin e rekursit të Dritan Goxhaj për zbutjen e masës së sigurimit, megjithëse ky vendim nuk cënon lirinë e ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili kërkohet nga Dhomat e Gjykatës Speciale të Kosovës, në Hagë.
Goxhaj ushtroi rekurs në Gjykatën e Lartë në 17 gusht të vitit të kaluar, pasi gjykata e Tiranës fillimisht dhe më tej ajo e Apelit, vendosën masën e sigurimit “arrest me burg” për efekt ekstradimi.
Por, ndërkohë që pritej shqyrtimi në Gjykatën e Lartë për masën e sigurimit, Gjykata e Apelit, në Tetor të vitit 2023 shqyrtoi themelin e kërkesës së Speciales së Kosovës, duke refuzuar ekstradimin e Goxhajt, si edhe i hoqi masën e sigurimit që ishte në fuqi deri në atë kohë.
Në këto kushte, kërkesa e mëparshme e Dritan Goxhajt drejtuar Gjykatës së Lartë për zbutjen e masës së sigurimit ishte “pa objekt”.
Goxhaj, në janar të këtij viti, njoftoi Gjykatën e Lartë se ai tashmë ishte i lirë dhe se rekursi i tij nuk kishte kuptim që të shqyrtohej.
Por, Gjykata e Lartë, në zbatim të Kodit të Procedurës Penale, nuk mund të vendoste pushimin e çështjes. Në këto raste, gjykata vendos vetëm me mospranim të kërkesës, e cila gjithësesi nuk ka.
Nga arrestimi, tek liria e luftëtarit të UÇK-së
Në 31 Korrik 2023, Policia e Tiranës njoftoi se “specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda n të Policisë Tiranë bënë ekzekutimin e vendimit të datës 20.07.2023, të Gjykatës së Tiranës, e cila ka vendosur lejimin e kontrollit fizik dhe të banesës së shtetasit Dritan Goxhaj, si dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, me qëllim ekstradimi, ndaj shtetasit Dritan Goxhaj, 45 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë…”.
Akuzat që rëndonin mbi Goxhaj u pasqyruan në një njoftim të Dhomave Speciale të Kosovës (DHSK) në Hagë, menjëherë pas arrestimit të tij në Tiranë.
“Më 31 korrik 2023, autoritetet e Shqipërisë arrestuan z. Dritan Goxhaj në Tiranë. DHSK-ja kërkoi bashkëpunimin dhe ndihmën e autoriteteve shqiptare për arrestimin e z. Goxhaj dhe dorëzimin e tij në DHSK, mbi bazën e fletarrestimit të lëshuar nga një gjykatës i DHSK-së në lidhje me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare. Z. Goxhaj do të mbahet i paraburgosur në Shqipëri në pritje të vendimit të autoriteteve shqiptare lidhur me transferimin e z. Goxhaj në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë”, thuhej në atë njoftim.
Në 17 Gusht 2023, Gjykata e Apelit në Tiranë vendosi të lërë në fuqi masën e sigurimit “arrest me burg” për efekt ekstradimi ndaj ish-luftëtarit të UÇK-së.
Menjëherë pas këtij vendimi, Goxhaj dorëzoi rekurs në Gjykatën e Lartë, ku kërkonte shfuqizimin e masës së sigurimit.
Ndërkohë, gjykata e Tiranës nisi shqyrtimi në themel për ekstradimin e Goxhajt. Në 19 shtator 2023, trupa gjykuese e shkallës së parë të kryeqytetit vendosi pranimin e kërkesës së prokurorisë dhe miratimin e ekstradimit të tij drejt Dhomave të Specializuara të Gjykatës Penale të Kosovës, me seli në Hagë.
Por, në 10 Tetor 2023, Gjykata e Apelit vendosi ndryshimin e vendimit të shkallës së parë, duke rrëzuar kërkesën për ekstradim.
Në njoftimin e saj për këtë rast, Gjykata e Apelit informonte se:
“Në përfundim të gjykimit në apel, sot më datë 10.10.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Genti Shala, vendosi:
-Ndryshimin e vendimit Nr.1204 Akti, datë 19.09.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
– Rrëzimin e kërkesës për ekstradimin e shtetasit Dritan Goxhaj nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.
– Heqjen e masës së sigurimit “arrest në burg”, për shtetasin Dritan Goxhaj, caktuar me vendimin Nr. 1123 Akti, datë 20.07.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
-Urdhërohet lirimi i shtetasit Dritan Goxhaj, nëse nuk mbahet për ndonjë vepër tjetër penale
Rruga Press