KryesoreLajme

Bekim Qoku: Do përfaqësoj idetë e Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoni të Veriut. Arritëm bashkimin e opozitës, kjo ka përhapur panik te BDI-ja

Bekim Qoku, si përfaqësues i programit të Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoni të Veriut dhe si kandidati i ardhshëm për deputet në listat e koalicionit opozitar shqiptar LEN, ishte i ftuar sonte në emisionin ClickPlus në TV21. E duke folur për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Maqedoni të Veriut, ai tha se për herë të parë BDI-ja nuk i ka tre komunat e mëdha shqiptare, siç është Tetova, Gostivari dhe Çairi.

“Të bëjmë dy blloqe të fuqishme. Lëvizja Vetëvendosje është faktor bashkimi, është faktor garantimi, është faktor rregullator. Për herë të parë, BDI-ja nuk i ka në dorë tre komunar kryesore, Tetovën, Gostivarin, Çairin. Kjo situatë nuk ka qenë në 2020 as në 2016. Për herë të parë ndodh që figura kryesore që ka organizuar zgjedhjet në BDI, Izet Mexhiti, del nga BDI-ja dhe i bashkohet opozitës shqiptare. Për herë të parë opozita bëhet bashkë për qëllimet që duan të arrijnë. Kjo vendosmëri është ndjerë te krahu tjetër dhe i ka kapur paniku. Edhe Arben Taravari është në këtë frymë”, tha Qoku.

Lexo më shumë  Patronazhistët rusë në Moldavi

Qoku tha se ai do të marrë pjesë direkt në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Maqedoni. Ai tha se Vetëvendosja në Maqedoni nuk mund të garojë si parti më vete, sepse nuk është e regjistruar me siglën e saj këtu, por do të ketë përfaqësimin e saj në opozitën shqiptare dhe ai do të jetë deputeti i saj në listat e opozitës së bashkuar shqiptare.

“Unë, si anëtar i Këshillit të Vetëvendosjes, do marr pjesë direkt në zgjedhje. Nuk ka Vetëvendosje të regjistruar, si subjekt politik i regjistruar. Unë do të përfaqësoj Vetëvendosjen në listat e opozitës së bashkuar. Jam zëri i Vetëvendosjes në Maqedoni. Nuk ka qendër të Vetëvendosjes në Maqedoni, nuk ka subjekt politik, nuk mund të përfaqësoj siglën sepse nuk është e regjistruar. Përfaqësoj idetë e Vetëvendosjes. Lëvizja Vetëvendosje në Maqedoni është një lloj rregullatori dhe shqiptarët e Maqedonisë janë të lumtur që Vetëvendosja është prezente këtu”, shtoi Qoku.

Ai deklaroi se është e pritshme që të ketë tensione tani, kur Arben Taravari vendosi t’i bashkohet opozitës shqiptare. Sipas tij kjo bëhet nga BDI-ja, ngaqë për herë të parë rrezikohet fuqishëm.

“Kemi në pushtet një konjukturë që është tejet e korruptuar, që është BDI-ja në krye me Ali Ahmetin dhe natyrisht këta njerëz do të sjellin situata të këtilla të tensionuara, ku do të ketë shpërthime herë këtu e herë atje, sepse këta e shikojnë, se për herë të parë, pas 22 vjetësh në pushtet po del në shesh një opozitë e bashkuar, me synime të qarta. Dhe tani me bashkimin edhe të Arben Taravarit dhe Aleancës për Shqiptarët u bë e qartë si loti, si kristali që për herë të parë rrezikohet fuqishëm BDI-ja”, tha mes tjerash Qoku.

Rruga Press

YouTube player