Ministrja Gërvalla në Fondacionin ‘Körber’ në Gjermani flet për arritjet e Kosovës
Në përmbyllje të vizitës së punës në Gjermani, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla mori pjesë në diskutimin me përfaqësues të institucioneve gjermane, deputetë të Bundestagut gjerman dhe shoqërisë civile, të organizuar nga Fondacioni “Körber”.
Gjatë prezantimit të saj Ministrja Gërvalla foli për të arriturat e mëdha të Republikës së Kosovës gjatë vitit 2023, duke e cilësuar si vitin më të suksesshëm jo vetëm në forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, por sidomos edhe zhvillimin ekonomik, duke shpalosur edhe proceset e saj integruese në mekanizmat ndërkombëtarë.
Ministrja Gërvalla i informoi të pranishmit për veprimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe rajon, duke përmendur sulmet e vazhdueshme në veri të Kosovës, si ai i 29 majit ndaj ushtarëve të KFOR-it, rrëmbimin e policëve të Kosovës si dhe sulmin e 24 shtatorit, duke shprehur shqetësimin e saj që nga shtatori nuk ka një qëndrim të qartë dhe zyrtar të BE-së për aktin e hapur të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës.
“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, dialogu Kosovë-Serbi, rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare ishin temat e tjera, rreth të cilave Ministrja Gërvalla bashkëbisedoi me të pranishmit në diskutimin e organizuar nga Fondacioni “Körber””, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Ministrja Gërvalla gjatë qëndrimit të saj në Gjermani ka marrë pjesë edhe në takimin me gazetarë, si e ftuar nga Forumi “Korrespondenten.cafe”, ku morën pjesë korrespodentë të huaj, politikanë, gazetarë dhe diplomatë.
“Ky takim ishte një mundësi e mirë e bashkëbisedimit, ku gazetarë të mediave të ndryshme, në një takim prapa kamerave, patën mundësi të informohen rreth aktualitetit politik në Kosovë, politikën e jashtme dhe të ardhmen e saj euroatlantike”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Rruga Press