Shaqiri i nderuar me interesimin e Lazios, thotë se e tërheq stili i lojës së Sarrit
Sulmuesi i krahut te Liverpooli, Xherdan Shaqiri tha se ai është “nderuar” nga interesimi i Lazios për të dhe la të kuptojë se do të kënaqej të luante për trajnerin Maurizio Sarri në stadiumin “Olimpico”.
Reprezentuesi i Zvicrës zbuloi se ai i ka kërkuar Liverpoolit largimin gjatë këtij afati kalimtar të verës dhe skuadra e Lazios shihet si favorite për transferimin e mundshëm të 29-vjeçarit. Shaqiri ka përvojë nga Serie A me skuadrën Interin, pasi ai kaloi gjashtë muaj me “Nerazzurët” midis janarit dhe gushtit të vitit 2015. Ish-anësori i Bayern Munich në një intervistë për “Corriere dello Sport” ka folur për të ardhmen e tij dhe përmendi një lëvizje të mundshme te Lazios e Sarrit.
“Për fat të mirë, futbolli më ka ndihmuar të realizoj shumë nga ëndrrat e mia. Kam pasur fatin të luaj me skuadra të shkëlqyera dhe të fitoj shumë tituj. Kush e di, mbase mund të marr diçka edhe me ekipin kombëtar të Zvicrës. Kontrata ime me Liverpoolin skadon në vitin 2023”, ka thënë Shaqiri. “Gjëja e rëndësishme në këtë moment në karrierën time është të jem në gjendje të luaj rregullisht, por ky nuk ka qenë gjithmonë rasti në tre sezonet e fundit. Kjo është arsyeja pse i thashë Liverpoolit se ndihem gati për një sfidë të re. Ata e pranuan dëshirën time dhe do të shqyrtojnë seriozisht ofertat që do të vijnë. Ata nuk do të më ndalojnë të largohem”.
Sulmuesi më pas zbuloi se ai nuk ka pasur ndonjë bisedë të drejtpërdrejtë deri më tani me klubet tjera që kanë shfaqur interesim për të.
“Unë jam vetëm 29 vjeç, kam luajtur në disa nga Ligat më të mira në Evropë dhe do të doja të vazhdoja të isha pjesë e tyre. Unë ende nuk jam duke menduar për fundin e karrierës time, është një e ardhme që unë e imagjinoj shumë larg. Do të shohim se çfarë më ka rezervuar fati”, shtoi Shaqri. “Nuk kam asnjë kontakt të drejtpërdrejtë; ekipi im konsulent merret me tregun. Ata më informojnë kur ka klube të interesuara, ju duhet t’u kërkoni atyre emrat”.
Por Shaqiri vazhdoi duke vlerësuar “zhvillimin” e futbollit italian në vitet e fundit.
“Unë mendoj se nuk është vetëm mendimi im që futbolli në Itali është zhvilluar ndjeshëm në vitet e fundit. Fitorja në Kampionatin Evropian është aty për ta dëshmuar këtë rezultat të merituar”, tha Shaqiri. “Thjeshtë, hidhni një vështrim se sa lojtarë të Premier Leagues janë transferuar në Serie A”.
Aventura e Shaqirit te skuadra e Interit nuk ishte fort e suksesshme dhe ai u detyruar të largohet nga ekipi italian pas vetëm gjashtë muajve duke u transferuar në Angli te Stoke City në vitin 2015.
“Ndonjëherë në futboll, ju ndodh që të jeni në vendin e gabuar në një kohë të gabuar. Nuk pendohem, pasi nga çdo përvojë mëson”.
Në lidhje me thashethemet për një lëvizje të mundshme te Lazio, Shaqiri pranoi se stili i lojës së trajnerit Sarri do t’i shkonte për shtati, si dhe e vlerësoi shumë punën e drejtorit sportiv Igli Tare.
“Igli Tare ka bërë një punë të shkëlqyeshme te Lazio për vite me radhë. Nëse është e vërtetë që ai ka respekt të madh për mua, atëherë unë jam i nderuar”, u shpreh Shaqiri. “Unë e kam ndjekur Lazion për një kohë të gjatë, është një ekip i mirë. Në përgjithësi, për shkak të karakteristikave të mia, më pëlqen të luaj më shumë futboll sulmues dhe trajneri Sarri e praktikon atë. Do të ishte intriguese për mua”./koha/