Ambasadorja izraelite: Heqja e vizave për Kosovën, hap i rëndësishëm për marrëdhëniet e dy vendeve
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamara Ziv thotë se heqja e vizave për qytetarët nga Kosova është hap i rëndësishëm për të dy vendet.
Sipas saj, udhëtimi pa barriera do të mundësojë marrëdhëniet diplomatike, ekonomike e kulturore. Ambasadorja nga Izraeli në intervistën për KosovaPress thekson se kjo tashmë është procedurë e dy ministrive të jashtme, por që pret që shumë shpejt vendimi të hyjë në fuqi.
Sa i përket gjendjes pas shpërthimit të luftës në Gaza, diplomatja hebreje thekson se Izraeli është në situatë të vështirë, e që sipas saj fajtor është Hamasi.
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamara Ziv thotë se heqja e vizave për qytetarët nga Kosova është hap i rëndësishëm për të dy vendet. Sipas saj, udhëtimi pa barriera do të mundësojë marrëdhëniet diplomatike, ekonomike e kulturore. Ambasadorja nga Izraeli në intervistën për KosovaPress thekson se kjo tashmë është procedurë e dy ministrive të jashtme, por që pret që shumë shpejt vendimi të hyjë në fuqi. Sa i përket gjendjes pas shpërthimit të luftës në Gaza, diplomatja hebreje thekson se Izraeli është në situatë të vështirë, e që sipas saj fajtor është Hamasi.
Izraeli hoqi vizat për Kosovën, për çka qytetarëve u mundësohet lëvizja e lirë gjatë udhëtimit në këtë shtet, e për këtë ajo thotë se është hap i rëndësishëm për marrëdhëniet e të dyja vendeve.
“Mendoj se marrëdhënia midis një vendi bazohet në faktin që njerëzit e secilit vend të takohen me tjetrin lehtësisht dhe sa më shumë që të jetë e mundur. Pra, heqja e nevojës për vizë dhe mundësimi i qytetarëve të Kosovës që të vijnë dhe të vizitojnë lehtësisht Izraelin është një hap shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet që do të mundësojë më shumë shkëmbim ndërmjet njerëzve, turizmit, marrëdhënieve ekonomike, marrëdhënieve kulturore. Çdo lloj shkëmbimi mes popujve të Izraelit dhe Kosovës tani do të bëhet shumë i lehtë”, deklaron ajo për KosovaPress.
Kurse sa i përket asaj se kur do të fillojë së zbatuari ky vendim, diplomatja hebreje pret se një gjë e tillë të ndodh muajve në vijim.
“Tani po hyjmë në proces, ka një marrëveshje që duhet të nënshkruhet midis vendeve. Pra, kjo është një çështje ligjore mes dy ministrive të punëve të jashtme. Ata duhet të finalizojnë tekstin e marrëveshjes dhe të vendosin datën në të cilën ajo do të hyjë në fuqi. Besoj se do të ndodhë në muajt e ardhshëm”, shton Ziv për KosovaPress.
Në tre-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, ambasadorja Ziv foli për raportet me Kosovën dhe vizitat gjatë kësaj kohe. Ajo tha se gjatë 3 viteve prej se kur janë vendosur marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, ka pasuar shumë vizita në të dy shtetet, përfshirë fushat e ekonomisë, kulturës e artit.
“Në thelb, unë mendoj se ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer. Ne kemi vendosur marrëdhënie diplomatike gati tre vjet më parë. Në shkurt, ne do të festojmë përvjetorin e tretë të marrëdhënieve dhe jam shumë e lumtur që për këtë përvjetor të tretë arritëm në marrëveshjen për të hequr dorë nga nevoja për viza… Kemi pasur shumë vizita dypalëshe të nivelit të lartë në Izrael, në Kosovë, të ministrave të fushave të ndryshme. Kemi pasur disa delegacione ekonomike nga Kosova që kanë vizituar Izraelin. Kemi pasur jo pak shkëmbim kulturor të artistëve nga të dyja palët që kanë ardhur, kanë përformuar, kemi pasur trajnime në fusha të ndryshme. Kështu që unë mendoj se për tre vjet ne kemi bërë vërtet shumë, kemi arritur shumë dhe ne mezi presim të arrijmë shumë më tepër”, thekson ambasadorja e Izraelit në Kosovë.
Duke folur për gjendjen pas fillimit të luftës në Gaza, ambasadorja izraelite thotë se Kosova po mbështet vendin e saj edhe në situatën e vështirë që po kalon nga viti i kaluar. Ziv tha ushtria e Izraelit ka vendosur t’i kundërpërgjigjet sulmit terrorist të Hamasit të 7 tetorit, ku kishin mbetur të vrarë 1200 persona e mbi 5000 të tjerë të plagosur.
“Situata aktuale është e vështirë. Siç e dini të gjithë, më 7 tetor, organizata terroriste Hamas filloi një sulm të tmerrshëm terrorist kundër Izraelit. Një sulm në të cilin në një ditë u vranë më shumë se 1200 njerëz, 5000 njerëz u plagosën, 240 njerëz u rrëmbyen dhe u morën peng në Rripin e Gazës, po flasim për foshnjat duke filluar nga nëntë muajsh deri te të moshuarit dhe të mbijetuarit e Holokaustit që janë 85 vjeç, 86 vjeç. Më 27 janar ne përkujtuam Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit dhe fakti që të mbijetuarit e Holokaustit duhej të kalonin këtë tmerr, dhe u rrëmbyen dhe u morën peng në Rripin e Gazës, vuajtën dhe po vuajnë, është i tmerrshëm.
Pra, si rezultat i kësaj në fakt shkakton luftën që Hamasi i shpalli Izraelit. Ushtria izraelite është kundërpërgjigjur. Ka qenë vendimi i Qeverisë së Izraelit që të punojë për të çmontuar aftësitë ushtarake të Hamasit dhe për të liruar pengjet tona, me shpresë për të krijuar një situatë në të cilën të gjithë qytetarët izraelitë të zhvendosur, që janë më shumë se 200.000 izraelitë, të cilët janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre si rezultat i kësaj situate, si në Rripin e Gazës ashtu edhe në Veri, i cili kufizohet me Libanin në Hizbullah, të mund të kthehen në shtëpi dhe të jenë të sigurt”, deklaron ajo.
Teksa shpreson se do të mund të rikthehet qetësia për të jetuar, ajo fajëson Hamasin për luftë. Ziv tha se deri para 7 tetorit, ka pasur afër 18 mijë punëtorë palestinezë që hynin çdo ditë në Izrael e që kontribuonin në ekonominë e Rripit të Gazës.
“Mendoj se është 100% e qartë se është 100% përgjegjësi e Hamasit. Më duhet të them se para 7 tetorit, Izraeli gabimisht mendoi se ne mund të jetojmë në një lloj situate armëpushimi me Hamasin. Ne kishim 18.000 punëtorë palestinezë që hynin në Izrael çdo ditë, që është një kontribut i jashtëzakonshëm për ekonominë e Rripit të Gazës. Ne ishim të angazhuar në përpjekjet për të avancuar projekte për të përmirësuar ekonominë brenda Rripit të Gazës për mirëqenien e njerëzve atje. Ne po merrnim pacientë për të marrë trajtim mjekësor në Izrael dhe vërtet gabuam plotësisht për qëllimet e tyre dhe shpresojmë të krijojmë një lloj situate të të jetuarit krah për krah në qetësi”, thekson më tej ajo.
Diplomatja hebreje në intervistën KosovaPress thotë se Hamasi është zotuar ta përsërisë 7 tetorin, për çka shton se bashkëjetesa në paqe është zgjidhja më e mirë.
“Idealisht, ne do të ishim të lumtur të jetonim në një situatë në të cilën Rripi i Gazës është i çmilitarizuar dhe nuk përbën kërcënim për Izraelin, sepse Hamasi është zotuar të përsërisë 7 tetorin vazhdimisht, kështu që t’u mundësohet atyre çdo lloj aftësie për ta bërë këtë është e pamundur nga këndvështrimi ynë. Por duke supozuar se Hamasi është i çmilitarizuar dhe ka një lloj menaxhimi civil i Rripit të Gazës nga palestinezët që kërkojnë bashkëjetesë, së bashku me komunitetin ndërkombëtar mendoj se do të ishte një zgjidhje e mirë, sepse ne do të donim të bashkëjetojmë krah për krah në paqe pa u kërcënuar asnjëra nga tjetra”, përfundon Ziv.
Lufta në mes të Izraelit dhe Hamasit ka nisur më 7 tetor 2023 pas sulmeve të grupit Hamasit ku mbetën të vrarë rreth 1 mijë e 300 njerëz ndërsa u morën peng 250 të tjerë. Ndërsa sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, lufta në Rripin e Gazës ka vrarë mbi 26 mijë palestinezë. /kp/
Rruga Press