Qoku: BDI-së i është “kallë data”, është në hall të madh
Duke folur për zhvillimet në ASH dhe vendimin që duhet të merr Kuvendi i ASH-së për zgjedhje, Bekim Qoku tha se do të ishte mirë që ASH-ja të rreshtohet krah opozitës.
“Unë pres shumë, vërtet kam besim te ASH, kam qenë pjesë e saj, i njohë ata njerëz janë njerëz të shkëlqyeshëm, ka njerëz shumë të mirë, tani hiq dy tre veta që kanë interesat e tyre personale dhe e bëjnë gjithë këtë rrëmujë tani për tani, por do të ishte vërtetë mirë që ASH-ja të rreshtohet krah opozitës. Aleanca është ngritur si opozitarizëm, është trashëgimtare e linjës politike, filozofike të Arbën Xhaferit i cili e kishte si sugjerim ngrohtësinë kombëtare, e kishte si plan program atë edhe këtë linjë e ka trashëgua edhe ASH dhe në këtë frymë të Arbën Xhaferit që kishte dje përvjetorit, është mirë që Aleanca të rreshtohet me opozitën. Jo për hir të opozitës, jo për inatet që ka pasur në atë kohë por për hir të një qëllimi më të madh që të bëjmë një ndryshim, që të rreshtohet në anën e duhur të historisë se vërtetë janë momente kur Aleanca për herë të parë mund të bëjë shumë, guri i saj mund të rëndojë shumë në këtë situatë”, tha Bekim Qoku, Këshilltar i Kryeministrit të Kosovës për Maqedoni.
Bekim Qoku, këshilltar i kryeministrit Kurti, i cili do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni, në intervistë për Alsat tha se BDI-së i ka hyrë frika nga humbja në këto zgjedhje. Ai madje akuzoi Artan Grubin për propagandë dhe agjitacion
“Duket sheshit se BDI-ja kësaj radhe është trembur shumë, i është kallë data thuhet një frazë në Shqipëri. Pra ka frikë shumë, është në hall të madh deri në atë hall saqë dëgjoj oferta që i bëhen ASH-së, me 8-9 deputetë, më shumë ministra, kjo tregon një lloj sikleti të madh të BDI-së që nuk e kishte në 2020, e habitshme. “Ndërhyrja” e Vetëvendosjes në 2020 ishte e jashtëzakonshme, unë nuk e di a do të jetë në këto zgjedhje, por atëherë nuk u shqetësua shumë, nuk bëri zë, partitë maqedonase fare. Kishte një lloj komoditeti, një lloj rehatie por tani jo, tani ata kanë frikë, janë çuar peshë bëjnë alarm të paqenë, e kanë ndez motorin e propagandës që e kanë shumë të fuqishme, bëjnë tituj dhe lajme të paqena sikur demanton Kurti atë, demanton këtë, nuk e mbështetë atë. Këta janë thjesht të një mekinerie të specializuar për propagandë dhe agjitacion. Mos të harrojmë një gjë, flitet që zv.kryeministri deri dje menaxhon, administron mbi 10 portale, ka në dorë televizione, çon lajme. Është e pabesushme për një zv.kryeministër athua ti ky vetëm këtë punë bën apo bën edhe ndonjë punë të hajrit në Qeveri, apo bën vetëm lajme propagandë. Këto natyrisht, e gjithë kjo propagandë është si rezultat i frikës që u ka hyrë këtyre. Për herë të parë, lideri i paprekshëm ai me aureolën e një patrioti, për herë të parë komprometohet, i dalin afera të ndryshme, me nipin me familjarë, me nepotizëm, Soravia, Euroavia dolën plot afera korruptive e nepotike. Për herë të parë bëhet çarja më e madhe që ka pësuar BDI-ja. Izet Mexhiti një nga figurat kryesore që ka bërë gjithë fushatën e ka menaxhuar, ai është pjesë e opozitës, kanë dalë lista të zeza me plot emra, me plot figura që janë në BDI, figura të fuqishme edhe bashkëpunëtor të BDI-së. Mos të harrojmë bashkëpunëtorë të deridjeshëm të BDI-së ishin Nikolla Gruevski, Mijallkovi, Daka Davitoviq me aferën në Tetovë ku është përfshirë BDI-ja. Pra i gjithë ky hall , e gjithë kjo frikë, i gjithë ky konstalacion që e bën të dobët BDI-në, që mund të mundet, të mposhtet, kjo tani në këtë moment duhet edhe vetëm pak shtyrje që të bëhet një ndryshim kaq i pritshëm që do ti bënte mirë jo vetëm opozitës edhe gjithë shqiptarëve dhe shtetit, por do ti bënte shumë mirë edhe vet partisë në pushtet”, u shpreh Bekim Qoku, Këshilltar i Kryeministrit të Kosovës për Maqedoni.
Rruga Press