Aleksandër Vuçiq “ka të drejtë”! Të drejtën ia kanë dhënë Edi, Hashimi dhe Batoni!
Nga PROF. DR. ENVER BYTYÇI
Dje presidenti i Serbisë vijoi edhe më tej me akuzat e tij për armatosjen e Kosovës. Tha se “Kosova po armatoset në mënyrë të paligjshme” dhe se do të “intervenonte, po të jetë nevoja edhe kundër SHBA-ve, për këtë. Në fakt ai nuk konteston vetëm forcimin e ushtrisë më profesionale në Evropë të Kosovës. Konteston gjithçka, e para së gjithash lirinë dhe pavarësinë e saj, konteston integritetin territorial, si dhe vetë ekzistencën e saj. Ai, njësoj si të gjithë paraardhësit e tij, prej Garashaninit e deri te Milosheviçi, duan një Kosovë pa shqiptarë, të spastruar etnikisht. Fiksioni dhe programet serbe për spastrimin etnik të shqiptarëve janë formuluar para 200 vitesh dhe janë zbatuar në mënyrë permanente prej vitit 1876-1878 e këtej nisur nga Nishi për të ardhur në Prizren e në Gjakovë.
Të gjitha këto janë të dokumentuara dhe dihen. I kanë dëshmuar dhe kronikanë, politikanë e historianë të Serbisë. Por më së shumti janë autorët e Evropës së Epërme saksonë që i kanë dokumentuar krimet dhe barbaritë serbe kundër shqiptarëve. Gjenocidi i fundit serb ndodhi në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të XX, d.m.th para 25 vitesh. U masakruan 14 mijë shqiptarë. U zhdukën kufomat e 3600 prej tyre. U vranë 1420 fëmijë, për të mos numëruar numrin e pleqve, grave dhe njerëzve të pambrojtur. U bë gjenocid kundër inteligjencies shqiptare. Ai gjenocid nisi me avokatin Bajram Kelmendi dhe dy djemve e tij dhe shkoi deri të ikona e inteligjencies shqiptare, i urti dhe i dituri, Fehmi Agani. U përdhunuan 20 mijë vajza e gra. U dogjën 120 mijë banesa dhe objekte biznesi, kulturore e të shërbimit publik. Sot Kosova është e mbushur me varreza masive, si simbole të masakrave serbe kundër shqiptarëve, jo në fillim, por në fund të shekullit të kaluar.
Megjithëse kanë ndodhur të gjitha këto vepra mizore të Serbisë së Milosheviçit dhe të Vuçiqit, ne na duhet të dëgjojmë ende sot që ky genocidist tipik e gjakftohtë, presidenti i sotëm i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të flasë për “padrejtësi”, se Kosova është shtet i lirë dhe I pavarur dhe se ajo po armatoset për ta forcuar mbrojtjen e saj nga Serbia e nga Rusia. Dhe e dini pse po ndodh e gjitha kjo? A e dini kush ia dha këtë shans kreut të shtetit të Serbisë? Sepse Shqipëria nuk u investua për të kërkuar llogari për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin serb në Kosovë. Sepse kryeministri i Shqipërisë “ngatërroi” qëllimisht radhën e punës. Tha: “Më parë zgjidhja e konfliktit e në fund ndjesa serbe për krimet që ajo ka bërë në Kosovë”! Tha se gjenocid serb në Kosovë ishte “një rrëmujë ballkanike”! Tha se në emër të paqes dhe stabilitetit “duhet të harrojmë të shkuarën’, d.m.th. të harrohet gjaku i derdhur për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Ndaj dhe sot Vuçiq, në vend të japë llogari, kërkon hesap!
Ndërsa këshilltari i tij, Baton Haxhiu, publikisht bëri thirrje “të harrohet çka ka ndodhur para 20 vjetëve” e të “pajtohemi me Serbinë”, d.m.th pa i kërkuar asaj llogari për krimet dhe gjenocidin e saj në Kosovë. Madje shkoi edhe më tej, kur kërkoi që Serbia të shpërblehet me territore shqiptare e në këmbim të kësaj të zhbëhet Gjykata e Kosovës në Hagë. Për të shpëtuar Hashim Thaçin, Edi Rama dhe Baton Haxhiu ishin të gatshëm të “harrojnë krimet kundër njerëzimit dhe genocidin serb në Kosovë” dhe jo vetëm kaq: – Ta ndajnë Kosovën dhe pasuritë e saj t’ia japin Serbisë. I këtij kursi ishte dhe vetë ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ithtarët e të cilit edhe sot propagandojnë në ekrane televizive pikërisht ndarjen e territorit të saj.
Në këto rrethana lehtësuese Aleksandër Vuçiq është plotësisht i motivuar kur flet për “shkelje të ligjit ndërkombëtar” pse Kosova është e lirë dhe e pavarur. Ai është i dëshpëruar që tashmë nuk ka mundësi të ushtrojë gjenocid kundër shqiptarëve në këtë vend. Ai është në të drejtën e vet të kundërshtojë “forcimin e ushtrisë së Kosovës”, sepse askush nuk po i thotë troç, as ndërkombëtarët, se “Liria dhe pavarësia e saj janë produkt i gjenocidit serb kundër shqiptarëve”! Një e drejtë kjo e parashikuar në ligjin ndërkombëtar, siç shpjegon gjithashtu Vendimi i 22 korrikut 2010 i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Nëse të gjithë aktorët dhe faktorët shqiptarë të politikës, akademisë, etj do të insistonin nga fillimi e deri sot në përgjegjësinë e Serbisë për gjenocidin që ajo ka bërë në Kosovë dhe nëse do i kërkohej Beogradit fillimisht ndjesa e pastaj zgjidhja e konfliktit, sot presidenti i Serbisë nuk mund të kontestonte as lirinë, as pavarësinë, as ushtrinë e Kosovës.
Ata që e ndihmuan Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuçiq në politikat agresive dhe diversive kundër Kosovës duhet të skuqen. Duhet të kërkojnë ndjesë. Mos na neverisin më kur hiqen si “koka e Zeusit” për të rekomanduar zgjidhje, ndërkohë që zgjidhjen e kanë mohuar që në fillim!