Kosova e Bullgaria me marrëveshje bashkëpunimi në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural me ministrin e Bujqësisë dhe Ushqimit të Bullgarisë, Kiril Vatev.
Kjo marrëveshje është nënshkruar sot në takimin bilateral në mes të dy ministrave i cili është zhvilluar gjatë vizitës së Vatevit në Kosovë.
Sipas një njoftimi të Ministrisë, me këtë rast Peci ka theksuar se kjo marrëveshje ka ardhur si rezultat i marrëdhënieve miqësore dhe angazhimit për ruajtjen e partneriteteve me vendet e Bashkimit Evropian.
“Përmes këtij memorandumi synojmë që ta intensifikojmë bashkëpunimin në fushat me rëndësi si: ushqimi, blegtoria, kultivimi i bimëve, kultivimi i hardhisë dhe prodhimit të verës, zhvillimi rural, peshkimi dhe akuakultura, bimët mjekësore dhe bujqësia organike”, citohet të ketë thënë Peci.
Në këtë takim thuhet se ata kanë diskutuar edhe për koordinimin e politikave zhvillimore në rrafshin ndërkombëtar, si dy vende mike.
“Krahas këtij diskutimi, Ministri Peci e ka njoftuar homologun e tij bullgar edhe me zhvillimet e përgjithshme në sektorin e bujqësisë në Kosovë, si dhe për politikat zhvillimore të këtij viti. Po ashtu, ai ka theksuar se në fokus të këtyre politikave kanë edhe krijimin e bashkëpunimit me vendet e Evropës, me qëllim të avancimit të sektorit sipas standardeve evropiane. Ndër tjerash, ai e ka falënderuar ministrin Kiril Vatev për mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë Kosovës në shumë fusha, përfshirë këtu bujqësinë dhe zhvillimin rural”, thuhet në njoftim.
Rruga Press