Eksperti amerikan: Blerja e raketave nga Kosova, mesazh i qartë i ShBA-së ndaj Rusisë
Eksperti amerikan, Alon Ben-Meir, ka thënë se aprovimi për blerjen e raketave “Javelin” për Kosovën është një mesazh i ShBA-së ndaj presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, sidomos rreth sigurisë në Kosovë.
Ai ka thënë se furnizimi i Kosovës me pajisje ushtarake do të vazhdojë, me qëllim që Kosova të arrijë synimin e saj, për të kaluar në një forcë ushtarake profesionale sipas standardeve të NATO-s.
Furnizimet e mëtejshme të pajisjeve ushtarake do të vazhdojnë pasi që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) synon të kalojë në një force ushtarake profesionale prej deri më 2028 që të përmbushë standardet e NATO-s”, ka shkruar Ben-Meir në “Facebook”.
Këtë vendim të ShBA-së, ai e ka arsyetuar duke thënë se është bërë për të rritur sigurinë e partnerëve të tyre evropian, njëkohësisht duke i dërguar një mesazh presidentit rus, për mbështetjen e amerikane ndaj këtyre shteteve.
Vendimi i ShBA-së që të shes 240 sisteme raketore të bartshme, të afta për të shkatërruar tanke dhe automjete tjera të blinduara u bë që të dërgojë një mesazh te presidenti rus që ShBA-ja është plotësisht e angazhuar dhe e përkushtuar që të përmirësoj sigurinë e partnerëve të tyre evropian që është kritike për stabilitet politik dhe ekonomik në Evropë”, ka shkruar ai.
Ben-Meir ka thënë se kryeministri Kurti duhet të garantojë për sigurinë kombëtare të Kosovës, duke marrë parasysh se si përkrahës kanë NATO-n, të cilët vazhdimisht synojnë rritjen e sigurisë në vendet e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.
“Edhe pse kryeministri Kurti është i obliguar të garantoj sigurinë kombëtare të Kosovës, ai duhet të shoh atë në kontekstin e përkushtimin të përgjithshëm të NATO-s ndaj Ballkanit Perëndimor. ShBA-ja do të veprojë menjëherë të parandaloj çdo gjykim të gabuar nga ndonjë armik potencial, sidomos nga Rusia”, ka thënë Ben-Meir.
Rruga Press